AKTUALITET, 22 Maj 2024, 15:59

SPAK hetim pasuror për Veliajn/ Këlliçi: Do të mbajë përgjegjësi për çdo krim që ka kryer!

SPAK hetim pasuror për Veliajn/ Këlliçi: Do të mbajë

Anëtari i Kryesisë së PD-së të Rithemelimit, Belind Këlliçi ka reaguar sërish, pasi SPAK ka nisur hetim pasuror.

Këlliçi shprehet Veliaj do të mbajë përgjegjësi për çdo krim që ka kryer. Ai tha se PD do të çojë në SPAK informacione edhe për hetimin pasuror, që tashmë ka nisur.

DEKLARATA E ANETARIT TE KRYESISE SE PD, BELIND KELLIÇI:

Të nderuar qytetarë,

Ditën e djeshme u bë publike në media kërkesa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme për marrjen e të dhënave financiare për Erion Veliajn dhe familjarët e tij të afërt. Shumëkush mendoi se bëhet fjalë për një hetim të thjeshtë pasuror, por ndërkohë në shkresën zyrtare të SPAK drejtuar Bankave të Nivelit të Dytë, e në dijeninë tonë edhe institucioneve të tjera, citohet:

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedim penal, në funksion të të cilit kërkojmë të na vendosni në dispozicion çdo informacion lidhur me veprimet bankare dhe çdo transaksion financiar të kryer brenda dhe jashtë vendit, për shtetasit e mëposhtëm: Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Arbër Veliaj, Shqiponjë Veliaj”. Nga sa kuptohet nga kjo shkresë e SPAK, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal mbi bazën e indicieve e në funksion të të cilit kërkon të dhënat financiare dhe lëvizjet bankare brenda dhe jashtë Shqipërisë të këtyre shtetasve. Pra, po kërkohen paratë e korrupsionit të pronarit faktik të inceneratorit Tiranë dhe bandës 5D Erion Veliaj, si brenda ashtu dhe jashtë vendit tonë.

Ky hajdut që qëndron ende në zyrën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, me votat e blera me paratë e krimit dhe të korrupsionit, po hetohet për disa çështje:

Inceneratorin fantazmë të Tiranës

Aferë për të cilën i kemi vënë në dispozicion SPAK mbi 1600 faqe dokumente dhe materiale autentike, të cilat faktojnë përtej çdo dyshimi se Erion Veliaj ka urdhëruar veprimtarinë financiare të kësaj kompanie, duke përcaktuar se cila kullë në Tiranë paguante për depozitimin e dherave në Sharrë, e cila kullë jo.

I kemi faktuar SPAK burimet e dyshimta të financimit për këtë koncesion me para ruse dhe iraniane, duke i kërkuar SPAK të konfirmojë përmes letër porosive edhe vizitat dhe takimet e Erion Veliajt në Iran. Sot në mbrëmje, do i faktojmë sërish SPAK se Erion Veliaj nuk është thjeshtë një klient i inceneratorit Tiranë siç ai deklaron, por është pronari faktik i cili vendos edhe se cila bashki paguan për mbetjet dhe cila jo.

Dosja 5D

Aferë e paprecedentë e korrupsionit 100% me tenderat publikë, e kallëzuar nga unë më 26 prill të vitit 2023, veprimet hetimore të së cilës kanë zbuluar jo vetëm 6 drejtorë hajdutë, por një aplikacion privat komunikimi me në krye Erion Veliajn, komunikime të cilat mund të jenë arsyeja e hetimit që u bë publik ditën e djeshme.

ECO Tirana

Hetim, i cili u plotësua me dokumentacion nga Grupi i Ekspertëve pranë PD vetëm 2 javë më parë, ku faktuam lidhjen se si biznesi i riciklimit dhe marrëdhënia me AMIA Veronën, kompani e akuzuar në Itali për lidhjet e saj me grupin kriminal Ndranghetta, kishte nisur pikërisht nga Erion Veliaj që kur ishte fillimisht Ministër në Qeverinë Rama 1 dhe më pas u konkludua me futjen e Veliajt në zyrën e kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Të nderuar qytetarë,

Këto 3 hetime janë fokusi kryesor i punës të Grupit të Ekspertëve pranë PD. Nga dita e djeshme në fokus do të jetë edhe kallëzimi i ri i regjistruar ndaj shtetasit Erion Veliaj. Në shkresën e djeshme mungojnë disa persona të tjerë, për të cilët brenda 2 javësh do të informojmë zyrtarisht SPAK.

Garantojmë qytetarët shqiptarë se PD do vijojë të bëjë transparencë të plotë për të gjithë drejtorët dhe zyrtarët hajdutë të Bashkisë Tiranë, të cilët deri më sot kanë përfituar qindra milionë euro tendera dhe leje ndërtimi me firmën e vet Erion Veliajt, duke mos lejuar kurrë që këto hetime të kenë fatin e hetimeve të inceneratorit të Elbasanit apo të koncesionit të sterilizimit. Erion Veliaj do të mbajë përgjegjësi për të gjitha krimet që ka kryer në këtë dekadë të pushtetit të tij të shfrenuar korruptiv, duke nisur me Ardit Gjoklajn, me inceneratorin e Tiranës, me bandën 5D, me shembjen e Teatrit Kombëtar e duke përfunduar me dhunimin dhe nxjerrjen forcërisht nga banesat e tyre të banorëve të 5 Majit, Unazës së Re, Laprakës dhe Myslym Ketës.

Ju faleminderit.

SPAK hetim pasuror për Veliajn/ Këlliçi: Do të mbajë