TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sot në orën 17:30 opozita do të mblidhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku do të mbahet protesta e thirrur prej tyre.
Ky do të jetë tubimi i parë kur ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë i pranishëm në shesh, për shkak se ndaj tij është dhënë masa e “arrestit në shtëpi”, por ai do të flasë para protestuesve përmes teknologjisë.
20 shkurti, datë që përkon me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, është zgjedhur nga demokratët për tubim, me argumentin për të sjellë pluralizmin në vend.
Deputetja Albana Vokshi, në një intervistë një ditë më parë bëri me dije se të ftuar në këtë protestë janë të gjithë qytetarët, pa ngjyrime politike.
Në terren, në gatishmëri do të jenë mbi 1 mijë efektivë policie duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.
Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Segmentet rrugore që janë të bllokuara 2 orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.