AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 20:12

"Sot isha vëzhguese"/ Deputetët "kacafyteshin" për mungesën e Ramës në Kuvend, Kryemadhi ndiqte dasmën e Luizit dhe Kiarës (VIDEO)

"Sot isha vëzhguese"/ Deputetët "kacafyteshin"

Seanca e sotme plenare ishte plot debate, akuza dhe tone të ashpra, ku u përfshinë shumica e deputetëve të opozitës dhe shumicës parlamentare. Por një pjesë gjetën pak kohë edhe për relaks. Eduart Shalsi i PS-së u kap nga kamerat duke luajtur shah në laptop, ndërsa Monika Kryemadhi ndoqi në celular "dasmën" e Luizit dhe Kiarës, siç duket në pamjet poshtë të kapura nga regjia e Kuvendit.

Pas mbarimit të seancës, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, tha jashtë sallës së Kuvendit se në ditët në vijim do të shohim se do të dalin dhe qindra mijëra euro të tjera që sipas saj, kryemistri Edi Rama i ka dhënë ish-zyrtarit të FBI, McGonigal, për të shantazhuar opozitën.

Ndërsa duke folur për mospjesëmarrjen e saj në "kacafytjen" e deputetëve, Kryemadhi u shpreh: "Unë isha vëzhguese. Edhe në seancën e parë edhe sot më kanë hequr të drejtën e fjalës. Vërtet Rama nuk vjen, por nuk ka për të shpëtuar dot".