TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vetëm një ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme është firmosur masë sigurie ‘arrest shtëpie’ ndaj bashkëshortes se tij, Ajola Xoxa.
Për të diskutuar më shumë për zhvillimet e fundit të SPAK në politikë dhe ndikimi i arrestimit të Veliajt në zgjedhjet e 11 majit, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi ishte analisti Ergys Mërtiri.
Z.Mërtiri tha se Veliaj është një investim i madh politik, ku rreth tij janë mbledhur burime të forta politike, financiare, madje edhe mediatike, të cilat kanë qenë në funksion të kësaj fushate, çka do të sjellë një ndikim të madh.
Analisti u shpreh se Rama po nxjerr armët kundër SPAK, teksa shtoi se kryesocialisti po përgatit një sulm juridik ndaj prokurorit që arrestoi Veliajn.
Sa i përket lidhjes së kontratës me një konsulent politik që është i afërt me Trump, Mërtiri e sheh si çështje biznesi. Sipas tij, Berisha e ka zgjedhur për t’u shfaqur sikur ka mbështetjen e Trump.
Intervista e plotë:
Çfarë ndikimi do të ketë ky zhvillim i bujshëm?
Mërtiri: Do të ketë ndikim të lartë. Për mua, Veliaj është një investim i madh politik, ku rreth tij janë mbledhur burime të forta politike, financiare, madje edhe mediatike, të cilat kanë qenë në funksion të kësaj fushate. Mungesa e tij do të sjellë ndikim. Rama po dobësohet dhe po sulmohet nga organet e drejtësisë. Nuk mund të them nëse Rama do t’i humbasë këto zgjedhje, jo sepse ai nuk i humb dot, por për shkak të një opozite shumë të dobët. Ajo që do ta bëjë interesante lojën është një pol i tretë tek partitë e reja, që nëse bashkohen, do të krijojnë një pol të rëndësishëm.
Rama tha se do të ndryshojë qëndrimin ndaj organeve të drejtësisë. Çfarë shënon ky ndryshim i socialistëve?
Mërtiri: Rama del kundër SPAK tashmë hapur. Por, ky nuk është lajmi kryesor, por fakti që për herë të parë kryeministri i Shqipërisë kërcënon një institucion hetimor. Përdorimi i termit “dyshim i arsyeshëm” dhe “shpërdorim detyre” ndaj prokurorit që arrestoi Veliajn tregon se Rama po përgatit një sulm juridik ndaj prokurorit. Rama vetë tha: “Do ta shohim me imtësi dhe do të reagojmë.” Ai po nxjerr armët kundër SPAK. Të vetmet forca pro-SPAK janë forcat e reja politike. Lufta nuk është PS-PD, por Rama dhe Berisha bashkë kundër partive të reja dhe kundër SPAK.
Lidhja e kontratës me një konsulent politik që është i afërt me Trump ka ngjallur entuziazëm te mbështetësit e PD. Sa i rëndësishëm është ky zhvillim për PD?
Mërtiri: Vetë Berisha e ka zgjedhur për t’u shfaqur sikur ka mbështetjen e Trump. Kompania që ai ka kontaktuar është thjesht një kompani PR-i që bën biznes. Flitet se ndaj Trump ai ka marrë 20 mijë euro, nuk e di sa e ka paguar Berisha. Të qenit bashkë klient me Trump në një kompani nuk e shoh si çështje politike, por si një çështje biznesi, asgjë më shumë.