TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, dhe deputetja Albana Vokshi dorëzuan sot në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen "McGonigal". Në këtë komision hetimor është paralajmëruar të hetohet lidhja e kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e FBI-së të arrestuar, Charles McGonigal.
“Kemi firmosur 45 deputetë për të ngritur komisionin hetimor që të nxjerrim Ramën nga vrima e kamares. Jo vetëm komisioni do e nxjerr nga kamarja, por edhe protesta e 11 shkurtit. Rregullorja e përcakton qartë se kur ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e komisionit, është detyrim që të ngrihet. Rama ka harxhuar taksat e shqiptarëve. S’do të shpëtojë kësaj radhe. Ai do të vijë në Komision Hetimor si ‘çeço’ dhe do përgjigjet. Ky komision do të marrë detajet dhe do të kërkojë të gjitha takimet e Ramës dhe skandalin e tij për të korruptuar institucionet e qeverisë amerikane, me qëllim goditjen e sistemit të pluralizimit në Shqipëri dhe opozitës. Gjithçka do të kthehet në bumerang”, tha Boçi.
Një ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Sali Berisha denoncoi me emra dhe ministra të tjerë si të përfshirë në skandalin e ashuquajtur ‘McGonigal’.
“Ballukja ka qenë si të thuash nga më aktivet në këtë aferë, por janë edhe ministra të tjerë. Ardi Veliu, Bledi Çuçi, që të gjithë këta. I përgëzoj të gjithë deputetët që kanë firmosur në këtë Komision Hetimor Parlamentar dhe e siguroj Komisionin Hetimor Parlamentar të Kongresit të SHBA se komisioni ynë do të bëjë gjithçka për të zbardhur veprimtarinë kriminale të Edi Ramës, të McGonigal në Shqipëri, të Marco Rossinit dhe grupit të tyre.
Duhet të dini se, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në aspekte të tjera, këta aventurierë kanë luajtur me interesa të një rëndësie jetike për SHBA. Komisioni do t’i rreshtojë të gjitha këto, si një detyrim madhor ndaj SHBA. Mos prisni nga SKAP-i i partisë. Mc Gonigal është ulur këmbëkryq me ta. Jo një herë, por disa herë. Hetimin më të plotë do ta bëjë komisioni hetimor parlamentar.”, tha Berisha dje.