AKTUALITET, 30 Qershor 2026, 11:16

'Sindroma e Stokholmit', Balla- opozitës: Jo morën sheshin. Protesta është privatizuar, nëse zgjedhjet bëhen nesër, PD vjen me gjysmën e grupit parlamentar

'Sindroma e Stokholmit', Balla- opozitës: Jo morën sheshin.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se protesta është privatizuar.

Balla u shpreh se PD ndodhet në nivelin më të ulët historik dhe pretendoi se, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin nesër, ajo do të kishte më pak deputetë se në legjislaturën aktuale.

Gjatë fjalës së tij, ai foli edhe për rolin e parlamentarizmit dhe votës në përcaktimin e shumicës dhe pakicës politike.

Balla: U kam thënë një javë më parë në këtë sallë, do ua them edhe sot. Mua më duket se ju po vuani nga sindroma e Stokholmit. Ju kanë marrë sheshin dhe meqë ua kanë marrë, doni që të bashkoheni me ata që ua kanë marrë sheshin, edhe pse ata ju anatemojnë udhëheqësin.

Dëgjova deputetin tuaj, që në një lojë fjalësh për forcat politike ra në kurthin e harresës mbi faktin që sot në krye të PD është një sekretar partie. I vetmi sekretar partie në krye të një partie në Shqipëri. Edhe varkëtari i varkës së diktatorit Enver Hoxha, që gëzohej kur i jepte dorën.

Shumë nga ju gëzoni kur dëgjoni thirrjet “Berisha në burg”, se e shihni si shpëtimin e vetëm nga Saliu. Ka mes jush që doni të shpëtoni nga Saliu, thoni “inshalla na e heq protesta Saliun”. Një gjë protesta ia arriti, ju protesta ju mundi, ne protesta nuk na mund dot. PS nuk e mund dot askush.

Ju jeni të gatshëm për të duruar këdo, mjafton të jetë kundër nesh. Pse i sulmoni protestuesit rreth e rrotull? Transparenca është gjëja më e mirë. U shqetësuat ju për të mbështetur njëfarë Dritan Goxha, po u them që s’ka asnjë ditë në UÇK. Një dokument i vënë në dispozicion nga veteranët e UÇK-së, e morët dhe aq të paudhë jeni, sa u munduat ta përdornit për hesapet politike. U them protestuesve: mos lejoni t’ju vjedhin protestën.

Shqipëria u përfshi në një luftë digjitale ndërkombëtare pa qenë objekt real i kësaj.

Regjimi iranian është kokë e këmbë i përfshirë. Ndërsa aktorë të tjerë të huaj po kontribuojnë për financuar këto lloj luftërash hibride. Në protestë janë përzier motra e vëllezër nga Kosova, Shkupi, që u mobilizuan mes valës së dezinformimit dhe jo për përfshirjes së forcave politike, të paktën deri tani.

Sindroma e Stokholmit është një sindromë që vështirësisht shërohet. Mendoni se kjo protestë mund t’ju shpëtojë? E vërteta është e kundërta. PD është në nivelin e saj më të ulët historik. Nëse zgjedhjet janë nesër, PD vjen as me gjysmën e deputetëve që ka sot.

Kjo protestë po identifikohet me një protestë që ka në vetvete përpjekjen për të fshehur arsyen pse lindi kjo protestë. Kjo s’bën asnjë punë dhe nuk e shpëton PD-në, edhe sikur në krye të dalë Saliu.

Nga kjo protestë s’do të lindë dot një PD e re. Për ne, falë Zotit, PS është parti e re.