AKTUALITET, 14 Maj 2026, 19:59

Sigurimi i pronës për fatkeqësitë natyrore/ Qeveria po diskuton draftin për sigurimin e detyrueshëm

Sigurimi i pronës për fatkeqësitë natyrore/ Qeveria po

Në një kohë kur fatkeqësitë natyrore, si tërmetet dhe përmbytjet, po kthehen në një kërcënim gjithnjë e më të madh për ekonominë dhe qytetarët, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë u bënë bashkë në një forum për forcimin e kulturës së sigurimit në Shqipëri.

Përfaqësues të institucioneve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë dhe partnerë ndërkombëtarë si Aon dhe Hannover Re, diskutuan mbi nevojën e krijimit të mekanizmave më të fortë mbrojtës për përballimin e pasojave që sjellin fatkeqësitë natyrore.

Sekretarja e përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Mimoza Hajdarmeta, theksoi se përballimi i fatkeqësive natyrore kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, jo vetëm të qeverisë.

Ajo solli në vëmendje pasojat e tërmetit të vitit 2019, kur dëmet e shkaktuara arritën në rreth 1 miliard euro. Sipas Hajdarmetës, kjo ishte një provë e qartë se sa i rëndësishëm është forcimi i skemave të sigurimit dhe bashkëpunimi mes qeverisë, autoriteteve përgjegjëse dhe tregut të sigurimeve. Në fokus të diskutimeve ishte edhe draftligji i hapur aktualisht për konsultim, i cili synon krijimin e një skeme më të qëndrueshme për mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve nga katastrofat natyrore.

Përfaqësuesit e sektorit theksuan se sigurimi nuk duhet parë thjesht si një produkt financiar, por si një mekanizëm sigurie ekonomike dhe solidariteti social, në një kohë kur rreziqet natyrore po bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme.