AKTUALITET, 13 Shkurt 2024, 11:36

Siguria elektrike, inxhinieri ngre alarmin: Qytetarët rrezikojnë jetën në spitale, punime jocilësore. Specialistët i ka marrë emigrimi

Siguria elektrike, inxhinieri ngre alarmin: Qytetarët rrezikojnë

Inxhinieri elektrik Azmer Duleviç, për sigurinë elektrike në banesa dhe spitale thotë se jemi në një kaos të organizuar.

Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se spitalet ku qytetarët shkojnë për tu kuruar nga ana tjetër rrezikojnë jetën nga energjia dhe se në këto institucione ka punonjës, që ose janë fiktivë, ose marrin rrogën kot, duke mos bërë punën e tyre dhe rrezikuar jetën e qytetarëve.

“Kjo është gjendja e institucioneve dhe shëndetësisë në Shqipëri, ka rrezik për jetë njerëzish, se jo të gjithë e dinë rrezikun nga rryma elektrike.

Këto janë instalime të arnuara për shkak të mungesës së fondeve dhe investimeve dhe askush nuk e ka fokusin te siguria energjetike.

Këtu tek ne është bërë normalitet dhe nuk i bën më përshtypje askujt.

Urgjenca e re pak muaj ka që është inauguruar, ra zjarr, imagjinoni çfarë cilësie punimesh realizohen aty.

Kush është kompania që e ka supervizuar dhe certifikuar, pse nuk dalin sot të flasin.

Në rast se vjen si pasojë e gabimit të punës sonë kush mban përgjegjësi, se janë miliona euro të hedhura, nuk mund të ketë punë cilësore, me mall jocilësor.

Ato lekë do dalin diku dhe normalisht do të dalin nga cilësia dhe produktet e dobëta. Kemi raste dhe në pallate që instalimet elektrike janë të cilësisë së fundit.

Fatmirësisht zjarri te Urgjenca u neutralizua, dhe sot nuk është koha për të falënderuar zjarrfikësit, por është koha për të vënë para përgjegjësisë ata që kanë certifikuar punimet.

Nuk mundet që unë të bëj një punë dhe të vijë një shoku im të certifikojë punën time. Këtu hyn në lojë interesi.

Duhen vendosur rregulla dhe kontroll mbi të gjithë. Çfarë presim më ne, që të digjet gjithë spitali,” tregoi Azmer Duleviç.

Duke folur për situatën te Spitali Ushtarak, apo ai i Traumës, Duleviç denoncoi se te kuadri elektrik, dera e kuadrit është pa çelës, nuk mbyllet.

Sipas tij, mund ta hapë çdo njeri, qoftë dhe një fëmijë dhe mund të prekë pjesët metalike dhe në atë rast mund të bjerë në kontakt me rrymën.

“Te dera e panelit një qytetar ka lënë dhe shishen me ujë. Drejtuesit e institucioneve duhet të marrin masa, këto më tepër janë neglizhencë.

Është kosto minimale, por unë ngre shqetësimin se mund të jetë gjithë spitali në këtë gjendje.

Bëhen me produkte jocilësore dhe shpesh ata që i bëjnë nuk kanë eksperiencën e duhur.

Specialistët i ka marrë emigrimi dhe këtu kanë mbetur ndihmësit.

Pallatet e vjetra mund të kenë mungesën e sigurisë se nuk kanë automatët diferencial, por linjat elektrike i kanë më të sigurta se pallatet e reja, se është tel shumë i mirë.

Një pallat që mund të jetë bërë para një viti nuk plotëson asnjë kusht për sigurinë. Telat blihen për bakër, por nuk janë bakër dhe nxehen.

Kemi dhe ata që i bëjnë këto punime, se ti nuk e di nëse një elektricist është i certifikuar ose jo.

Kompanitë që marrin tenderat marrin një inxhinier fiktivë dhe të tjerët janë thjesht punëtorë.

Nëse bëhet një kontroll i instalimeve elektrike, më shumë se gjysma duhen bërë nga fillimi se nuk plotësojnë asnjë kusht sigurie.

Duhet rregulluar me ligj kontrolli i sigurisë elektrike, që të paktën një herë në vit të bëhet kontroll në pallate, për gjendjen e instalimeve elektrike.

Se një herë ndodh e keqja, ti je në dush, apo duke gatuar në sobë dhe nuk e di se kur mund të të zërë korrenti,” tha Inxhinieri elektrik Azmer Duleviç.