AKTUALITET, 12 Shkurt 2024, 10:31

Si u zhduk Boboshtica nga programi i “100 fshatrave“?

Si u zhduk Boboshtica nga programi i “100 fshatrave“?

Në Boboshticë sot zhvillojnë aktivitetin e tyre diku te 9 restorante dhe përveç dy kishave, vështirë të gjesh infrastrukturë që e bën turistik këtë fshat, për të mos folur për veprat e premtuara në 2019-n.

“Faktoje” takoi kryeplakun e fshatit Boboshticë, Z.Kostandin Xhoxhi i cili tregon se gjithçka është premtuar ka mbetur e parealizuar. Asnjë punonjës i bashkisë së Korçës apo qoftë nga FSHZH nuk është dukur në Boboshticë për të inspektuar zonën në lidhje me këtë ide.

“Këtu çdo familje merret me rakinë e manit. Janë rreth 120 familje që ka secila kazan në shtëpinë e vet dhe nxjerrim raki. Për ne do të ishte shumë mirë në qoftë se do të ndërtohej ky muze, do na bëhej reklamë e madhe dhe besoj se turistët do të blinin rakinë e Boboshticës e do merrnim një nam të madh në Shqipëri. Deri tani, reklama dhe promovimi ynë ka qenë shumë minimal nga ana e pushtetarëve ” – thotë kryeplaku Kostandin Xhixho.

Koli Guna, njëri nga banorët e Boboshticës tregohet skeptik përsa i përket ndërtimit të këtij muzeu për shkak të braktisjes që ka pësuar fshati nga emigracioni.

“Po për çfarë na duhet ky muzeu i Rakisë ne banorëve në Boboshticë? Secila shtëpi këtu bën afro 30-40 litra raki, që i shesim direkt e mbajmë për të pirë dhe për vete. Manat këto kanë qenë, këto janë. Se mos ka të rinj këtu që të investojmë tek rakia e manit? Ne vetëm pleq kemi ngelur këtu. Pastaj ja ta quajmë që e bënë muzeun. Këtu ku ka turistë? Vijnë ca njerëz të hanë mish shqerre, e ikin. Çfarë do shohin në Boboshticë, ne pleqtë? – përfundon Koli Guna.

Nga biseda me të moshuarin mësojmë se secila shtëpi ka afro 3-7 pemë mani, një frutë i vogël, i ëmbël dhe aromatik, të cilin e vjelin gjatë sezonit të verës. Kësaj tradite i kushtohet edhe Festa e Rakisë në Boboshticë, ndonëse vitet e fundit ka gjithnjë e më pak pjesëmarrës siç dëshmojnë banorët e mbetur në këtë fshat.

Cfarë thonë autoritetet?

Përmes një kërkese për informacion ne iu drejtuam bashkisë Korçë me pyetjet se cilat janë arsyet e mosrealizimit të premtimit për Muzeun e Rakisë.

Në përgjigjen zyrtare, Bashkia e Korçës specifikon se muzeu i Rakisë vijon ende të jetë një ide, e cila nuk është zbatuar dhe se zbatimi i koncept-idesë do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Bie në sy se gjatë verifikimit të kryer nga Faktoje në vitin 2020 në një përgjigje zyrtare bashkia Korçë ia atribuonte në atë kohë realizimin e këtij projekti AZHBR-së në kuadër të projektit madhor “100 fshatrat“.

Mirëpo kur pyetëm AZHBR përmes një kërkesë zyrtare në shkurt të këtij viti, ajo ia delegoi kërkesën Ministrisë së Bujqësisë, e cila refuzoi të kthejë përgjigje.

Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit konfirmoi për Faktoje se projekti në fjalë është ende në fazë konceptimi dhe formësimi ndërkohë që vlera e financimit nuk bëhet e ditur.

Burime pranë këshillit bashkiak të Korçës konfirmuan se në buxhetin e miratuar për vitin 2024 nuk rezulton ndonjë zë për ndërtimin e Muzeut të Rakisë në Boboshticë, një premtim që s’është çudi të riciklohet për propagandë mbi turizmin apo fushatat e ardhshme elektorale.

Përfundim

Premtimin e artikuluar nga kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo dhe i propaganduar edhe prej qeverisë në vitin 2019 për ndërtimin e Muzeut të Rakisë dhe zhvillimin e turizmit rural në Boboshticë, do ta kategorizojmë të pambajtur.

/Faktoje.al