TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm në Lozhan të Maliqit jetonte vetëm me nënën e tij.
43-vjeçari Violand Braçellari jetonte në pyll, pranë stanit. Ai ishte një ish-ushtarak, i rrezikshëm për banorët e zonës dhe në kërkim nga policia e Vlorës për kultivim narkotikësh.
Dyshohet se autori fshihte edhe arsenal armësh në stan dhe qëndronte gjithmonë i armatosur.
Prej terrenit të vështirë ku fshihej ai i kishte shpëtuar disa herë RENEA-s, pasi për të shkuar të stani ku fshihej duhet të ecësh 40 minuta në këmbë.
Ai kishte siguruar vendin me shumë qen, që asnjë njeri të mos afrohej pranë stanit dhe kur ka shkuar policia për ta arrestuar edhe më parë, ikte e fshihej në pyll në terren të vështirë, aty ku kishte krijuar edhe vende për t'u fshehur.
Stani do i prishej pasi aty do kalonte rruga dhe i kishin dërguar letër për ta prishur.
I dënuar me 10 vite burg për trafik droge, pikëpyetje si u lirua nga qelia
Violand Braçellari, i cili vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër gjatë një operacioni për kapjen e tij, rezulton një person me precedentë të mëparshëm kriminal. 43-vjeçari cilësohej si një person i rrezikshëm, i njohur në zonën e Maliqit për ngjarjet e mëparshme kriminale ku dyshohet se ka qenë i përfshirë, ndërsa ka marrë edhe një dënim në mungesë për trafik narkotikësh.
Në vitin 2017, ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë me një vendim të marrë në janar 2024.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë që Report Tv e disponon, Braçellari u vu në vëzhgim nga policia pas informacioneve se po merrej me trafik narkotikësh. Më 29 shtator 2015, forcat e policisë organizuan një operacion në vendin e quajtur “Çezma e Senishtit” në Korçë, ku fillimisht konstatuan një automjet të dyshuar dhe më pas një tjetër mjet tip “Mercedes Benz”, ku udhëtonte edhe Violand (Roland) Braçellari së bashku me dy persona të tjerë.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën qese plastike të zeza dhe doreza kirurgjikale. Kjo bëri që blutë asokohe ta shoqëronin Braçellarin dhe dy të tjerët në polici dhe gjatë këqyrjes që i është bërë celularit të tij, janë gjetur pamje fotografike dhe video me lëndë të dyshuar si narkotike, të mbjella, duke u transportuar, tharë.
Në komunikimet telefonike të administruara nga policia, Braçellari bisedonte me persona të identifikuar në telefon si “Sandri” dhe “Toni” për tharjen dhe transportimin e drogës. Më pas, gjatë kontrollit në një banesë që përdorej prej tij në fshatin Lozhan i Sipërm, policia gjeti mbetje të bimës narkotike cannabis sativa.
Mbetet mister se si Braçellari u lriua nga qelia, kur ai ishte arrestuar dhe mori edhe një vendim me 10 vite burg nga Gjykata e Korçës.
Ndërkohë, në vitin 2024, Prokuroria e Korçës e mori të pandehur për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” ndaj shtetasit Valdet Bezhani. Në janar 2026, Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për seancën gjyqësore, pasi ai nuk ishte gjetur në adresën e banimit në Lozhan të Maliqit.