AKTUALITET, 24 Janar 2023, 12:43

"Si thua për 150 mijë euro?!" - Si u gjobit biznesmeni Salillari

"Si thua për 150 mijë euro?!" - Si u gjobit biznesmeni

Është zbardhur dëshmia e Jasmin Pepës, një nga tre të akuzuarit që u vendosën në pranga pasi dyshohet se hiqeshin si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit dhe mashtronin biznesmenët.

Jasmin Pepaj para hetuesve ka treguar rolin e tij dhe dy të akuzuarve të tjerë, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç.

Ai tregoi se ishte kontaktuar nga Sherif Kadroviç për të marrë një porosi në Tiranë dhe pasi kishin marrë një makinë me qira, së bashku me Rezart Pepaj (kushëriri i tij) kanë shkuar në një nga zyrat e Salillarit, raporton gazetarja Klodiana Lala.

I dyshuari tha se hyri në ndërtesë dhe pasi mori qesen, doli jashtë, por u ndalua nga disa persona që iu prezantuan si oficerë policie.

 “Jam i papunë dhe herë pas here punoj në Mal të Zi. Në datën 6 janar të këtij viti kam shkuar pranë banesës së Sherif Kadroviç. Këtë person e njoh që fëmijë dhe kam marrëdhënie shoqërore, por jo shumë të afërta. Kur erdhi Sherifi te shtëpia unë isha në gjumë dhe më zgjoi nëna dhe më tha se më kërkojnë. 

Sherifi tha që të shkonim në Tiranë se; ‘ke me marrë një porosi’, pasi të merrja porosinë, Sherifi do më shpërblente. Sherifi erdhi me makinën e vet tip ‘Golf’. Pasi la makinën te banesa e vet, Sherifi ka shkuar te njëri që jep makina me qira dhe unë i shkova nga mbrapa. 

Aty Sherifi ka marrë makinë me qira dhe u nisëm për në Shkodër. Kur jemi afruar në Shkodër, në lagjen ‘Rus’, ndaluam makinën dhe aty hipi dhe shtetasi Rezart Pepaj, e kam kushëri. 

Më pas u nisëm drejt Tiranës. Gjatë rrugës, Sherifi më tha; Zbrit tani dhe shko e merre porosinë”, madhe më tregoi edhe rrugën nga të shkoja. Kur isha afër adresës, mora në telefon atë numrin dhe më tha; hip lart. Aty mora një qese dhe kur po dilja nga ndërtesa pash disa persona që u prezantuan si policë”, tha ai në dëshminë e tij.

“Edi” i çoi mesazh biznesmenit: Si thua për 150 mijë euro?!

Biznesmeni Pëllumb Salillari është pronar i kompanisë “Salillari SHPK”. Më 5 janar të këtij viti Salillari kishte marrë një SMS në një aplikacion të veçantë ku i kërkoheshin 150 mijë euro në emër të Edit.

Rreth orës 22:30 të mbrëmjes, në aplikacionin “Signal” në telefonin e biznesmenit mbërriti një mesazh nga një kontakt me emrin “Edi”. Sikurse rezulton nga dosja hetimore, Salillari i është përgjigjur pas disa minutash me fjalët “mirë shef si jeni?”, duke treguar se e ka njohur dërguesin e atij mesazhi. Nga ana tjetër, i shkruajnë “doja me të thënë diçka, por po i them dikujt tjetër”.

Sipas dosjes hetimore që e ka bërë publike “News 24”, në këtë moment këtu Pëllumb Salillari kupton se ishte ndonjë lojë dhe po e mashtronin. Për këtë arsye, vendosi të njoftonte policinë dhe të rrëfente gjithçka po i ndodhte. Nga hetimi rezultoi se shtetasit Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç, të cilët ndodhen aktualisht nën masën e arrestit me burg, kishin mundur të ndërhynin në rrjetin “Signal” dhe të bënin të mundur që t’i shkruanin biznesmenit të njohur, mesazhe që atij i shfaqeshin me dërgues kontaktin me emrin “Edi”.

Në fakt, bëhej fjalë për një numër anglez që personat e përdornin për të zhvatur para nga biznesmenë të ndryshëm. Policia i kërkoi Sallillarit të vijonte bisedën dhe të linte takim me personat që i shkruanin.

Salillari i shkruan më tej tekstshkruesit: “Më thuaj të lutem pa problem”. Personi i shkruan: “Ia jep dot robit 150 000 euro dhe rregullohemi”. Për të bërë të mundur arrestimin e mashtruesve Salillari udhëzohet të lërë takim me ta. Me vendim të Prokurorisë, u tërhoq nga llogaria e Ministrisë së Brendshme shuma prej 150 000 eurosh, brenda së cilës u vendos GPS, për ta gjurmuar.

Në momentin e takimit, sikurse ishte lënë mes palëve, mbërrin një person në banesën e Salillarit dhe merr lekët. Në momentin kur të dyshuarit po largoheshin policia ndërhyri dhe bëri arrestimin. Më pas gjatë kontrolleve në banesat e tyre u gjetën shuma të konsiderueshme parash mbi 120 000 euro të dyshuarit nuk i justifikojnë dot dhe ka dyshime se këtë aktivitet kriminal e kanë kryer edhe ne raste të tjera.