AKTUALITET, 10 Qershor 2026, 22:58

Shqipëria dhe Bullgaria forcojnë bashkëpunimin, Hoxha në Sofje: Fokus integrimi europian

Shqipëria dhe Bullgaria forcojnë bashkëpunimin, Hoxha në

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u prit sot në një takim në Sofje, nga kryetarja e Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë, Mihaela Dotsova.

Gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti i fortë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe angazhimi i përbashkët për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në fusha kyçe si ekonomia, energjia, turizmi dhe ndërlidhja.

Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar, përfshirë grupet e miqësisë parlamentare, si një instrument i vlefshëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Hoxha informoi se në takim u diskutua gjithashtu mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga shtetet anëtare të BE-së dhe rëndësinë strategjike të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit dhe të vetë Bashkimit Evropian.

“Në fund, vlerësuam rolin e rëndësishëm të pakicave në vendet tona përkatëse në forcimin e lidhjeve mes njerëzve dhe në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore, historike dhe njerëzore që i afrojnë edhe më shumë kombet tona”, u shpreh ai.