AKTUALITET, 9 Shkurt 2024, 10:29

'Shpëtova për mrekulli', zbardhen detaje nga plagosja e 60-vjeçarit Selami Brahimi në Shkodër

'Shpëtova për mrekulli', zbardhen detaje nga plagosja e
Selami Brahimi

“Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë”, ka deklaruar para hetuesve 60-vjeçari Selami Brahimi, i cili u plagos me armë mbrëmjen e së enjtes në Shkodër.

Selami Brahimi është shprehur se po lëvizte në këmbë pasi sapo ishte larguar nga një pallat ku la mbesën e tij. Ai ka treguar se nuk ka arritur që të dallojë automjetin, nga ku është qëlluar në drejtim të tij dhe se s’ka probleme me askënd.

60-vjeçari ka deklaruar se s’ka pasur asnjë kërcënim dhe nuk e ka idenë se kush mund të ketë qëlluar në drejtim të tij, apo arsyen.

“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askend dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, ka dëshmuar Selami Brahimi.

Ndërkohë mësohet se ndaj Selami Brahimit është qëlluar rreth 10 herë me kallashnikov, por vetëm një plumb e ka kapur në pjesën e fytyrës.

60 vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Forcat RENEA kanë shoqëruar 3 persona në lidhje me plagosjen e 60-vjeçarit, Selami Brahimi mbërmjen e së enjtes (8 shkurt) në Shkodër. Mes të shoqëruarve është Shkëlzen Xhenje, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Ismet Çekorjas.

Shkëlzen Xhenje, Sehar Xhenje dhe një person tjetër u kapën në një banesë në fshatin Kuç.

Raportohet se ata po merren në pyetje në lidhje me plagosjen e Selami Brahimit, ndaj të cilit është qëlluar rreth 10 herë me kallashnikov, por vetëm një plumb e ka kapur në pjesën e fytyrës.

Të shoqëruarit janë persona që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes. Selami Brahimi është pronar i një picerie në lagjen “Xhabiej” ku ndodhi plagosja. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.