AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 11:00

SHBA i heq non gratën Sali Berishës

SHBA i heq non gratën Sali Berishës

Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha i është hequr non-grata, e shpallur plot pesë vite më parë nga ish-sekretari i Shtetit Blinken, vendim që pengonte atë dhe familjen e tij të hynin në SHBA.

Ky vendim i marrë nga Departamenti i Shetitit i është komunikuar vetë Berishës në një bisedë telefonike 15 minutshe nga e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy Van Horne.

Lajmi është konfirmuar nga kreu i PD-së, i cili ndonëse nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, hyri në sallën e Kuvendit me duartrokitje.

“Unë erdha, u krye”, tha Berisha nga foltorja. Ndërkohë që ende nuk ka një reagim nga ambasada e SHBA-së lidhur me këtë lajm.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarët e familjes së tij “non grata” në maj të vitit 2021. Ky vendim u njoftua nga ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se veprimet e Berishës minojnë demokracinë në Shqipëri dhe janë të lidhura me përfshirjen e tij në korrupsion të rëndësishëm dhe pengim të drejtësisë.