TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prej 22 majit bashkia Divjakë ka çelur zyrtarisht sezonin veror në plazhin e Divjakës. Janë pothuajse 7 kilometra vijë bregdetare e cila është e shfrytëzueshme për të gjithë pushuesit besnikë që prej vitesh zgjedhin këtë plazh. Frekuentuesit e plazhit të Divjakës janë kryesisht banorë të zonave përreth Divjakës, Lushnjes, Dimalit, Kuçovës dhe Elbasanit. Plazhi i Divjakës është kryesisht plazh ditor pasi prej vitesh këtu nuk janë zgjeruar kapacitetet e hotelerisë, të cilat janë të kufizuara. Bashkia e Divjakës këtë sezon veror në kuadër të masave ka pastruar të gjithë vijën bregdetare dhe ka vënë në punë një makinë teknologjike që pastron çdo mëngjes sipërfaqen e vijës bregdetare.
Në zbatim të vendimit për plazhet publike, në Divjakë janë ndërthurur hapësirat publike me ato të shfrytëzuara nga operatorët privatë, ku ndërmjet bizneseve private ka plazhe publike. Është garantuar energjia elektrike për të gjitha bizneset me një linjë të dedikuar, në bashkëpunim me bizneset private dhe bashkinë janë vendosur kullat e vrojtimit për sigurinë e pushuesve.
Punonjësit e ndërmarrjes së pastrimit pranë bashkisë Divjakë janë prezente gjatë gjithë ditës duke pastruar mbeturinat dhe larguar ato në vende të përcaktuara. Krahas këtyre ka nisur shërbimi mjekësor në qendrën shëndetësore në plazhin e Divjakës që prej nisjes së muajin qershor.
Pushuesit, megjithëse të paktë në numër, shprehen se kushtet janë përmirësuar së tepërmi krahasuar me vite më parë. “Divjaka është mrekulli, e jashtëzakonshme. Njerëzit janë shumë të mirë. Zona publike s’ka qenë asnjëherë kështu. Vendi ku rri publiku është shumë më mirë se vjet, më i pastër.” “Më mirë sesa vjet. Është përmirësuar pastërtia, s’ka mbeturina.”.
“Rëra është situr në mënyrë perfekte, besoj se pushuesit do të jenë shumë të kënaqur.”
Divjaka përveç plazhit ofron për pushuesit dhe atraksione të tjera si shëtitja me varka në lagunë, xhiro në brendësi të pyllit në pasarelë, qendrën e vizitorëve dhe kullën 360 gradë.