AKTUALITET, 26 Qershor 2026, 09:40

Sezoni turistik/ Masat, Hita: Mjetet lundruese do të monitorohen edhe me dronë, patrullime në të gjithë vijën bregdetare! Lamallari: Sprova e shërbimit tuaj

Sezoni turistik/ Masat, Hita: Mjetet lundruese do të monitorohen edhe me

Sezoni turistik vjen me masa të shtuara sigurie, tha kryepolici Hita nga Durrësi. Ato më të rëndësishme lidhen me sigurinë detare pasi këtë sezon, monitorimi do të bëhet edhe me dronë. Gjithashtu, mjetet detare që u përkasin shtetasve të huaj do të verifikohen në kohë reale. Në njësinë detare, janë në dispozicion rreth 35 motorë uji dhe personel i trajnuar.

“Ne po aplikojmë me sukses praninë e efektivëve me biçikleta në pedonale dhe vijën bregdetare. Kjo rrit efikasitetin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët. Vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë detare dhe Njësia Policore Detare është në gatishmëri të plotë 24/7. Patrullimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Këtë sezon, njësia policore detare do të mbështetet edhe nga ajri, përmes dronëve. Nuk do të tolerohet asnjë shkelje me mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve. Shërbimet tona do të kryejnë verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve lundruese të huaja duke verifikuar në TIMS”, tha Hita.

Një nga kërkesat kryesore të Hitës ishte edhe vigjilenca e shtuar e efektivëve dhe trajtimi i qytetarëve me etikë e humanizëm, teksa nxiti edhe bashkëpunimin e këtyre të fundit me policinë.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se sezoni turistik është sprova e shërbimit të Policisë së Shtetit.

“Policia e Shtetit ka barrën kryesore në këto muaj me fluks të lartë. Sezoni veror është sprova më e madhe e shërbimit tuaj. Ne kemi detyrimin të dëshmojmë se jemi gati me të gjitha kapacitetet tona. Kemi marrë masat e nevojshme për të garantuar një sezon të qetë e të sigurt”, tha ministri duke shtuar: “Puna juaj matet me jetë të shpëtuara, rendin e garantuar dhe besimin e qytetarëve.”