AKTUALITET, 27 Janar 2023, 16:54

Rrëzohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë greke

Rrëzohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë greke

Mocioni i mosbesimit të Syriza ndaj qeverisë greke u rrëzua me 156 vota kundër dhe 143 pro, ndërsa në total votuan 299 deputetë, ku mungonte deputeti i pavarur, Christos Patsis.

Debati i mosbesimit zgjati 34 orë, një nga më të gjatat, siç e bëri të ditur edhe kryetarja e Kuvendit grek.

Debati u mbyll me deklaratën e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ku sigurisht nuk munguan akuzat ndaj liderit të opozitës greke Alexis Tsipras.

Kujtojmë që lideri i partisë më të madhe opozitare, paraqiti mocion mosbesimi ndaj qeverisë konservatore duke akuzuar kryeministrin Mitsotakis për orkestrim të përgjimeve masive ndaj zyrtarëve qeveritarë apo edhe kundërshtarëve të qeverisë.

Nën hijen e skandalit që tronditi qeverinë verën e kaluar, Tsipras i kërkoi Autoritetit për Sigurimin e Privatësisë së Komunikimit fakte e të dhëna në se janë përgjuar Shërbimi Informativ i Greqisë disa qeveritarë apo zyrtarë, pas publikimeve të ndryshme në disa mediat të vendit.

Pasi mori konkluzionet e një hetimi të veçantë të kryer nga ky autoritet ,në bazë të arkivave të kompanive telefonike, lexoi emrat e të përgjuarve në parlament duke theksuar se qeveria dhe kryeministri, të cilët kanë mohuar skandalin e përgjimeve, jo vetëm kanë gënjyer , por përbëjnë një rrezik për demokracinë me këtë shkelje të kushtetutës.