AKTUALITET, 15 Maj 2024, 17:46

Rikthehet rivlerësimi i pronës, depozitohet në Kuvend nisma për tatim 3% të shtëpive

Rikthehet rivlerësimi i pronës, depozitohet në Kuvend nisma

Në kuvendin e Shqipërisë është depozituar nisma që u jep mundësinë qytetarëve të kryejnë procesin e rivlerësimit me 3% tatim. Pjesë e këtij procesi do të jenë banesat që janë në proces legalizimi si dhe që disponojnë një kontratë sipërmarrjeje, por që jetojnë në pallate ende të palegalizuara. Nisma është propozuar në Kuvend nga deputetja e mazhorancës Blerina Gjylameti dhe sipas saj, krahas ndërtimeve që janë ende në proces legalizimi, synohet të përfshihen të gjitha pasuritë e tjera të paluajtshme.

“Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, nga institucionet përkatëse ose nga Zyrat Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe këstin e vlerësimit të ekspertit.”

Sipas relacionit ky proces mund të kryhet që nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 31 Qershor 2025. Po sa do të paguajë qytetari me këtë normë rivlerësimi? Një qytetar që ka blerë para pak vitesh një apartament me vlerë 135 mijë Euro dhe sot me çmimet e reja kërkon ta shesë 150 mijë euro, atëherë me tatimin në fuqi prej 15 për qindësh ai do të duhet të duhet të paguajë 2250 euro. Ndërkohë me tatim 3% që përcakton nisma e rivlerësimit ai do të paguajë vetëm 450 Euro.

Miratimi i këtij projektligji parashikohet të ketë efekte të drejtpërdrejta në nxitjen dhe formalizimin me vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme. Ky proces ka rezultuar me interes të lartë për qytetarët në vitet e mëparshme.