AKTUALITET, 26 Maj 2026, 11:44

Mungon Veliaj, GJKKO i pezullon afatet e paraburgimit! Ndreca: Nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikuj e provat dixhitale! Shtyhet seanca

Mungon Veliaj, GJKKO i pezullon afatet e paraburgimit! Ndreca: Nuk i janë

GJKKO nuk lejoi që seanca e gjyqit ‘Veliaj’ të transmetohej live, me argumentin se prania e kamerave në sallë ndikon në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Seanca e radhës mbahet më 10 qershor, ku GJKKO do të shprehet mbi kërkesat e mbrojtjes së Veliajt për t’i vendosur në dispozicion 24 fashikujt dhe provat dixhitale.

Në seancën e parë me trupën e re gjykuese, mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ngriti edhe njëherë shqetësimin se procesi gjyqësor ndaj të parit të Tiranës po zhvillohet në kushtet kur ai nuk është njohur plotësisht me dosjen dhe provat e SPAK.

Vetë Veliaj nuk ishte në sallën e gjyqit, por avokati Plarent Ndreca deklaroi në sallë se 24 fashikuj nuk i janë vënë ende në dispozicion në paraburgimin e Durrësit, ndërsa mungojnë edhe provat dixhitale të dosjes. Sipas tij, vendimi nga treshja e parë e gjykatësve, për njohjen e plotë të të pandehurit me aktet nuk është zbatuar.

“Gjykata e themelit, para se të ndahej çështja, ka urdhëruar që i pandehuri të njihet me të gjitha aktet. Ky vendim nuk është zbatuar. As unë dhe as i pandehuri nuk kemi akses në provat, ende nuk kemi kopje. Kjo kohë deri në seancën tjetër duhet të përdoret për të na vënë në dispozicion provat digjitale”, deklaroi Ndreca.

Nga ana tjetër prokurori i SPAK, Ols Dado kundërshtoi pretendimet e mbrojtjes për mungesën e akteve. Sipas tij, fashikujt që lidhen drejtpërdrejt me Veliajn janë dorëzuar fizikisht, ndërsa aktet e tjera janë pjesë e procedimit, por nuk i përkasin të pandehurit në fjalë. Për provat dixhitale, Dado tha se ato do të hapen dhe shqyrtohen gjatë procesit, pasi Veliaj do të gjykohet me gjykim të zakonshëm.

“Gjykata e themelit ka marrë vendim për dorëzimin fizik të akteve dhe ato janë dorëzuar, konkretisht aktet që i përkasin të pandehurit në fjalë. Aktet e tjera janë pjesë e procedimit, por nuk lidhen drejtpërdrejt me të pandehurin. Sa i takon provave dixhitale, pikërisht për këtë arsye jemi në gjykim të zakonshëm, pasi ato do të hapen dhe do të shqyrtohen gjatë procesit", tha Dado. 

Përveç Veliajt, në gjyq nuk ishte e pranishme as bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Munguan gjithashtu edhe avokatët e saj mbrojtës Maks Haxhia, i cili ndodhet në Lubjanë, dhe Dritan Jahaj për shkak të gjendjes shëndetësore. Xoxa ka ndryshuar përfaqësimin ligjor dhe do të mbrohet tashmë nga Gurali Brahimllari dhe Maks Haxhia.

Prokurori i SPAK, Ols Dado, kërkoi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, me argumentin se mungesa e katër të pandehurve apo avokatëve të tyre po pengonte vijimin e procesit.

“SPAK çmon se jemi në kushtet për shtyrje të seancës, pasi pengesa shkaktohet nga mosparaqitja e të pandehurve apo avokatëve të tyre. Kërkojmë pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn”, deklaroi Dado në sallë.

Kërkesa për pezullimin e afateve u kundërshtua nga Ndreca, i cili e cilësoi antikushtetuese dhe të pabazuar, duke argumentuar se mungesa e disa të pandehurve nuk mund të cenojë lirinë e Veliajt, pasi ai kishte përfaqësim ligjor në sallë. Por, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për pezullimin e afateve të paraburgimit ndaj Veliajt dhe shtyu seancën për në datën 10, në orën 11:30. Në seancën e radhës, treshja gjykuese do të të shprehet për kërkesat e Ndrecës për t’i vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat dixhitale.

Edhe në gjyqin e sotëm, GJKKO nuk lejoi kamerat të qëndrojë gjatë gjithë kohës në sallë për transmetimin e seancës live, me argumentin se prania e tyre ndikon në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Ndonëse Veliaj vetë nuk ishte në sallë, në gjyq kishte edhe përfaqësues të Komiteti Shqiptar të Helsinkit për monitorimin e procesit, pas ankimit të kryebashkiakut se i shkelen të drejtat duke qëndruar në kafazin e qelqtë.

Veliaj dhe 10 të pandehur të tjerë do të gjykohen me proces normal, me treshen gjykuese të përbërë nga Elsa Ulliri dhe anëtarët Flora Hajredini e Besmir Stroka.

Të pandehurit që vijojnë gjyqin pa gjykim të shkurtuar
Erion Veliaj
Ajola Xoxa
Gentian Sula
Meriman Palushi
Shkëlqim Fusha
Sokol Kryeziu
Linda Kazani
Erald Simixhiu
Ina Goxhaj
Valmir Xoxa
Flutura Xhani