TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi Kryeministri Edi Rama, tha sot se të jesh në krah të Partisë Socialiste do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian.
Kreu i PS-së u shpreh se misioni i kësaj force politike është anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
“PS ka mision ta vendosë Shqipërinë në kurorën e Evropës. Në atë kurorë ku janë të gjithë gurët e shteteve anëtare, vendosja e gurit të Shqipërisë do ta bëjë PS-në një forcë që do të ketë respektin e historisë, njësoj si rilindasit tanë. Besojeni këtë gjë.”, tha Rama.
Kryetari i PS-së u bëri thirrje qytetarëve të mos dëgjojnë, sipas tij, ata që nuk duan dhe nuk e kuptojnë këtë objektiv.
“Mos dëgjoni çfarë thonë ata që nuk duan, ata që nuk dinë çfarë thonë e çfarë duan, por që duan vetëm të rrëzojnë PS-në. Dhe sa herë PS ju vjen në majë të hundës, sepse jua sjell dikush që është afër, administratori i lagjes, deputeti, ministri, shtrëngoni dhëmbët, bëni atë që duhet të bëni brenda për brenda, por mos hiqni mendjen nga një fiksim që duhet ta ketë çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot, ta çojmë Shqipërinë në BE, tani që dera është hapur”, tha Rama.
Sipas tij, integrimi evropian nuk është një betejë e lehtë.
“Nuk është një luftë me armë. Nuk i kërkohet njeriut të japë jetën apo të shesë pasurinë për kauzën. Nuk i kërkohet të futet në ilegalitet, por vetëm të kuptojë se sot të rreshtohesh me PS-në nuk është të rreshtohesh me një logo partie, por me fuqinë e shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë aty ku ajo duhet të jetë. Dhe mos harroni kurrë se çdo gjë që nuk shkon në këtë betejë, sado e vogël, i shërben atyre që nuk e duan Shqipërinë në BE”, u shpreh ai.
Rama shtoi se edhe në Shqipëri ka forca që punojnë kundër procesit të integrimit evropian.
“Mos mendoni që të gjithë e duan shqipërinë në BE. Në çdo shtet të evropës ka forca që nuk e duan shqipërinë në BE. Këtu në Shqipëri ka forca që punojnë kundër Shqipërisë në BE. Prandaj ne të parët duhet ta kemi shumë të qartë që po na rrëshqiti ky moment, po nuk shtrënguam dhëmbët, jo për t’i mbuluar gabimet, jo për t’i fshehur të metat, por për të mbajtur sytë atje të horizonti dhe për të thënë që ne do ta kalojmë dhe këtë det të fundit njësojë siç i mbajnë sytë tek horizonti ata notarët që kalojnë detin me not. Nuk do të jetë e lehtë, do të jetë gjithnjë e më ë vështirë, sepse maja është gjithnjë e më afër, sespe ju e dini mjaft mirë se çfarë janë hapet e fundit drejt majës”.