AKTUALITET, 9 Qershor 2026, 22:09

Rama: Në Shqipëri bëhej turizëm gjuetie, shumëfishuam regjistrin e shpendëve dhe kafshëve të egra

Rama: Në Shqipëri bëhej turizëm gjuetie, shumëfishuam

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria ka qenë vendi ku si në asnjë vend të Europës deri kur ne kemi ardhur në detyrë bëhej turizëm gjuetie”.

Në takimin e organizuar në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, në Fier me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, Rama tha se “njësoj si trafiqet e tjera kishte një sistem të tërë për të sjellë turistë me çifte, maniakë ndërkombëtarë nga vendet përreth por edhe nga vende të tjera, të cilët vinin me një sistem organizimi merreshin me furgona siç bëhet sot për për shumë turistë bëhen ture dhe guida Në atë kohë ishte turizmi i vrasjes ilegale të shpendëve dhe kafshëve në Shqipëri”.

“Po të ishte ky pasion kaq kaq i shprehur nga shumëkush nuk diskutoj atë grusht njerëzish aty që janë realisht ambientalist, dhe unë dyshoj që ata janë akoma aty për hir të vërtetës, atëherë do kishim parë jo një protestë të madhe, por do të kishim parë një grup njerëzish që të visheshin si flamingo edhe të thoshin bini flamingot mbrapsht në Shqipëri se janë zhdukur. Nuk kishte flamingo Shqipëria dhe kjo është diçka faktike nga gjuetia e egërsirave që vinin nga vendet e tjera. Me çifte kishte bërë që të gjithë lagunat tona edhe në Karavasta kanë vuajtur nga kriminelët e shpendëve dhe të kafshëve.  Edhe në Karavasta është bërë nami. Pelikani kaçurrel u masakrua, është rikthyer për të nxjerrë vezë shumë më pas”, nënvizoi Rama.

Sot, shtoi Rama, ne kemi një regjistër të gjithë popullsisë së shpendëve dhe të kafshëve në Shqipëri.

“Ky regjistër është shumëfishuar nga koha kur ne filluam të mbajmë regjistrin dhe si u shumëfishua dhe pse u kthyen flamingot dhe pse pelikani kaçurrel rivendosi të lëshojë vezë të lindi fëmijën e vet këtu në Shqipëri sepse kjo qeveri ndaloi për 10 vjet gjuetinë”, tha Rama.

Ne, vijoi Kryeministri, e kemi inventarin dhe këta i dinë këto që po them unë, e dinë të tëra institucionet dhe të tëra organizmat që merren me jetën e egër dhe ne kemi inventaret se si pyjet janë ripërtërirë jo aq sa do të duhet të ripërtërihen dhe vazhdon ripërtëritja.

“Po si janë ripërtërirë pyjet që ishin bërë territore pa zogj, territore ku edhe ujqit kishin filluar të pakësoheshin dhe ku shumë specie të rralla autoktone këtu kishin filluar të zhdukeshin nga kriminelët që i vrisnin ujqit për sport, territoret ku dëgjohej vetëm zëri i sharrave që prisnin nga katër anët. Kur hynin e dilnin trajlerat me drurë që nxirreshin jashtë Shqipërisë apo që ishin përdorur në mënyrë ilegale, shiteshin pa asnjë faturë pasuroheshin një rrjet i tërë kriminelesh dhe u desh Partia socialiste në qeveri që të ndalonte 10 vjet shfrytëzimin e pyjeve”, tha Rama.