AKTUALITET, 11 Shkurt 2025, 20:22

Rama merr "drejtimin" e Tiranës pas burgosjes së Veliajt, do të kandidojë edhe vetë në kryeqytet

Rama merr "drejtimin" e Tiranës pas burgosjes së Veliajt, do

Zhvillime të vrullshme ka patur një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i dyshuar nga SPAK për korrupsion pasiv në nëntë raste dhe pastrim parash. 

Përveç shokut fillestar, veçanërisht te ushtarët e Veliajt, në kampin socialist fillimisht pati konfuzion se si duhet trajtuar burgosja e kryebashkiakut, pasi Edi Rama njëherë mbron SPAK-un dhe reformën në drejtësi, pastaj mbron Veliajn dhe qan hallin e bashkëshortes së tij (që nuk bën dot pazaret në supermarket pasi është në arrest shtëpie), por ka raste që mbron edhe SPAK-un edhe Veliajn njëkohësisht. Sidomos në rastin e fundit, pra kur Rama mbron paralel edhe SPAK-un edhe Veliajn, ky puzzle, se ç'mendon e ç'po bën kryeministri në prapaskenë, bëhet tmerrësisht i vështirë për t'u deshifruar për bazën socialiste. 

Përkundër këtij qëndrimi të qëllimshëm "as mish as peshk", disa në parti, për të mos i hapur telashe vetes, kanë heshtur fare dhe disa të tjerë kanë bërë nga një çerek deklaratë mbështetëse për Veliajn. Të paktë janë ata në parti, që e kanë mbrojtur kryebashkiakun me gjithë "zemër", ndërsa në përgjithësi janë hedhur në "zjarr" për ta mbrojtur, artistë të shumtë që Veliaj i ka "respektuar" pa masë kur ishte jashtë qelie. 

Por në konkluzion të kësaj dite me dy vizita të kreut të qeverisë në Bashkinë e Tiranës, u mor vesh se Bashkia do t'i delegohet formalisht për t'u drejtuar njërës prej nënkryetareve, Anduela Ristani. Megjithatë de facto "drejtimin" e Tiranës, e ka marrë vetë Edi Rama që ka deklaruar se do të kandidojë edhe vetë në kryeqytet, duke dhënë mesazhin e qartë se për të dhe qeverinë ka nisur fushata dhe "it's business as usual", ose siç thotë slogani i fushatës së Partisë Socialiste, "vetëm përpara". 

"Nga gjithë ajo që ndodhi dje, dhe për mua është e qartë që duhet të jem në Tiranë bashkë me skuadrën e Tiranës. Nuk diskutohet që në 11 maj, Tirana do t’i japi numrin më të madh të deputetëve që i ka dhënë ndonjëherë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve. Do e bëjmë gjithçka mavi, se kemi bërë dhe një blerje për Tiranën, Erion Braçen", deklaroi Rama.