AKTUALITET, 14 Qershor 2026, 11:24

“Rama, i vetmi bartës politik i frymës së fashizmit”, Qori i përgjigjet kryeministrit për krahasimin e protestës me këmishët e zeza të fashizmit

“Rama, i vetmi bartës politik i frymës së fashizmit”,

Kryetari i “Lëvizja bashkë”, Arlind Qori, iu përgjigj deklaratës së kryeministrit Edi Rama që u shpreh se protesta të kujton këmishët e zeza të fashizmit dhe ekstremizmat politikë.

Qori u shpreh se kjo protestë s’ka lidhje me fashizmin sepse pjesa më e madhe e protestuesve janë gra, vajza e fëmijë dhe në gati 80 orë protesta nuk është thyer asnjë xham, ndërsa i vetmi bartës politik i frymës së fashizmit dhe totalitarizmit sot në Shqipëri është Edi Rama.

Reagimi

Edi Rama është sot i vetmi njeri në botë mjaftueshëm i verbër mendërisht dhe i lig moralisht sa të krahasojë protestën më të bukur, më paqësore dhe më të madhe të historisë bashkëkohore të Shqipërisë me këmishët e zeza të fashizmit dhe ekstremizmat politikë.

Çfarë lidhjeje ka me fashizmin një shumësi dhjetëra mijëra protestuesish, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra, vajza e fëmijë?!

Çfarë mund ta lidhë ekstremizmin politik me rreth 80 orë protesta ku nuk është thyer asnjë xham, madje zor të jetë shkelur ndonjë milingonë?!

Si mund të barabiten ideologjitë totalitare me një rini e cila ka arritur kulmin e kreativitetit duke e estetizuar frymën politike të qytetarisë si asnjëherë më parë?!

Ku duket fashizmi mes mijëra qytetarëve që duartrokasin nga dritaret, kafenetë dhe trotuaret të rinjtë që marshojnë nëpër rrugët e Tiranës në pjesën e dytë dhe më të bukur të protestës?!

Meqë jemi te kafenetë, si pjesëmarrës dhe përjetues i kësaj proteste në çdo hap, mund të them se e famshmja “çohuni nga kafja!” nuk tingëllon për asnjë sekondë si kërcënim, por si ftesë e qytetarit ndaj bashkëvuajtësit të vet qytetar.

I vetmi bartës politik i frymës së fashizmit dhe totalitarizmit sot në Shqipëri është Edi Rama.

Njëlloj si nazi-fashistët motit, Edi Rama ka bërë njësh biznesin e madh me shtetin, duke ngritur një sistem oligarkik ku pasuria e madhe fitohet në ndërveprim të ngushtë me qeverinë.

Edi Rama është totalitar (stalinist) në instrumentalizimin e plotë partiak të nëpunësve të shtetit, duke kërcënuar përditë me bukën e gojës ata që në parim duhet t’i shërbejnë vetëm shtetit.

Si Führer i shekullit XXI, Edi Rama e ka bazuar pushtetin e tij politik mbi integrimin e gangsterëve dhe krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe qeverisjen e vendit. 

Në temperamentin, arrogancën, butaforinë, nënçmimin e qytetarëve dhe dhunën verbale ndaj kundërshtarëve politikë, Edi Rama është biri më i denjë shpirtëror i Benito Mussolinit.

Në mënyrën se si ka ndërtuar një rrjetë të gjithanshme propagandistike – nga televizionet kombëtare te ushtria (sot gjithnjë e më e shpartalluar) e patronazhistëve në rrjetet sociale – Edi Rama është nxënësi më i devotshëm i Joseph Goebbels-it.

Në gatishmërinë për të falur e shitur pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama sillet hiç më mirë se një kuisling i vogël province.

Fati e do që jetojmë në shekullin XXI dhe jemi gjeopolitikisht në anën e duhur të kontinentit. Përndryshe, një satrap i tillë do të na tërhiqte zvarrë e vendoste pas murit pa u menduar dy herë.

Falë popullit, koha e tij po merr fund!