AKTUALITET, 2 Korrik 2026, 23:54

Qytetarët dynden te Komisariati Nr.3: Nuk ikim pa lirimin e protestuesve

Qytetarët dynden te Komisariati Nr.3: Nuk ikim pa lirimin e protestuesve

Mijëra qytetarë kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës pas protestës së zhvilluar për disa orë para Kryeministrisë, ku u kërkua, si çdo ditë, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.

Pas përfundimit të tubimit, vargu i protestuesve është drejtuar drejt Komisariatit nr. 3, ku prej paradites mbahen mbi 10 qytetarë të shoqëruar pas protestës së zhvilluar më herët para Kuvendit, e cila u shoqërua me përplasje fizike me policinë.

Fillimisht, turma është zhvendosur drejt qendrës së Tiranës, më pas në zonën e njohur si “9-Katëshet”, për të vijuar më tej në rrugën “Mine Peza”, ku ndodhet Komisariati nr. 3, ku mbahen disa nga protestuesit.

Gjatë marshimit në rrugët e kryeqytetit janë dëgjuar thirrjet “Lironi çunat” dhe “Polici e krimit”, ndërsa qytetarët kanë vijuar lëvizjen në drejtim të komisariatit.

Protestuesit kanë përsëritur edhe kërkesën kryesore të protestës 33-ditore, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke brohoritur “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”. Po ashtu, janë dëgjuar edhe thirrje kundër klasës politike: “Rama në burg, Berisha në burg”.

Protesta e sotme vjen pas tensioneve të raportuara më herët para Parlamentit, ku pati përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, si dhe përdorim të gazit lotsjellës dhe sprajit me piper nga policia.