AKTUALITET, 12 Korrik 2026, 18:57

“Pse i jepen miliona euro një artisti privat kur vendi ka probleme?”, Ditmir Bushati: Protestat i kanë dhënë Shqipërisë imazhin që nuk ka para e koncert që e krijon!

“Pse i jepen miliona euro një artisti privat kur vendi ka

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka reaguar me një qëndrim të fortë dhe kritik lidhur me situatën e fundit politike dhe sociale në vend, duke u ndalur specifikisht te debati i nxehtë mes protestave disajavore të qytetarëve dhe koncertit të shumëpërfolur të mbështetur nga qeveria të Kanye West. Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Bushati ka sulmuar ashpër modelin e qeverisjes që harxhon paratë publike për spektakël.

Në reagimin e tij, ish-kryediplomati thekson se në një shoqëri demokratike njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre dhe se vendi ka nevojë si për protesta, ashtu edhe për koncerte. Megjithatë, ai ka bërë një dallim të qartë mes shkëlqimit të rremë dhe qëndresës qytetare.

“Dritat dhe hareja e një koncerti zgjasin pak, krahasuar me protestat disa javore që i kanë dhënë Shqipërisë një imazh ndërkombëtar që nuk ka para e koncert që e krijon. Një imazh, që pasqyron shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë e lufton me dinjitet për vendin e vet,” shprehet Bushati.

Bushati ka shprehur shqetësimin e thellë se politika po refuzon të reflektojë ndaj kërkesave serioze të njerëzve në rrugë, duke thelluar hendekun me popullin. Ai shpjegon se ajo që nisi si një revoltë për mbrojtjen e tokës, plazheve dhe trashëgimisë natyrore, tashmë është shndërruar në një kauzë më të madhe që prek thelbin e demokracisë dhe vendimmarrjes për të ardhmen e Shqipërisë.

Duke sulmuar atë që ai i quan “brigada digjitale” që përpiqen t’i ndajnë njerëzit në dy pole, ish-ministri ka shtruar disa pyetje direkte dhe të rënda për llogaridhënien e fondeve publike:

“Pse duhen shpenzuar paratë publike për argëtim, ndërsa vendi përballet me probleme më të mprehta ekonomike e sociale? Pse shqiptarët duhet t’i japin miliona euro një kompanie private dhe një artisti që nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit? Edhe sa kohë do ta trajtojmë kulturën si spektakël?”

Në mbyllje të reagimit të tij, i cili mban hashtagun #Shqipëriameritonmëshumë, Ditmir Bushati ka nënvizuar se “përvetësimi politik dhe financimi me paratë tona i koncertit” ka një rëndësi që shkon përtej emrit të artistit, pasi sipas tij, ky rast zbulon lakuriq një model të vjetëruar dhe të dështuar qeverisës.