TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Situata ka agravuar dhe ka kaluar në përplasje fizike përpara Parlamentit. Protestuesit e revoltuar kanë ndërmarrë një aksion në grup, duke tërhequr dhe shkulur me forcë gardhin metalik rrethues që ishte vendosur në hyrje të Pedonales, nga ana e godinës së Kuvendit.
Përballë këtij momenti tensioni dhe tentativës për të çarë kordonin e sigurisë, forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të zmbrapsur turmën.
Efektivët kanë hedhur sprej lotësjellës në drejtim të protestuesve për të bërë të mundur shpërndarjen e tyre dhe stabilizimin e perimetrit, por protestuesit qëndrojnë aty.
Disa protestuese gra kanë formuar një “gardh” njerëzor përpara forcave të policisë për të penguar dhunën e tyre ndaj qytetarëve, të cilët përsërisin thirrjet kundër deputetëve të cilët hynë në Kuvend për seancën plenare.
Disa protestues qëllonin me vezë ndërsa disa ligjvënës po hynin për në kuvend, ndërsa edhe ndaj makinës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u hodh miell.
Ai mbërriti në Kuvend shumë përpara nisjes së seancës për t’iu shmangur revoltës së qytetarëve të mbledhur para godinës.
Ndërkohë disa persona janë shoqëruar edhe në polici, mes të cilëve aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni.