TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, tha se zhvilloi sot një takim në Kryesinë e Kuvendit me eurodeputetin dhe raporterin në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andrey Kovatchev.
Gjatë takimit, Tabaku dhe Kovatchev diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, sfidat që shoqërojnë reformat dhe zhvillimet e fundit politike në vend, me një fokus të veçantë tek protesta qytetare që po hyn në ditën e saj të 16-të.
Tabaku u shpreh se protestat e qytetarëve nuk janë thjesht reagim ndaj një projekti apo një vendimmarrjeje të vetme, por pasqyrojnë pakënaqësinë ndaj një sistemi që për 13 vite me radhë ka prodhuar ligje dhe mekanizma në funksion të interesave të ngushta, duke dobësuar institucionet dhe konkurrencën e ndershme.
Sipas saj, Ligji i Investimeve Strategjike dhe ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura janë dy nga shembujt më domethënës të këtij modeli. Tabaku theksoi se opozita i ka kundërshtuar vazhdimisht këto iniciativa, përmes amendamenteve parlamentare, qëndrimeve publike dhe komunikimit me institucionet europiane, duke paralajmëruar për pasojat që ato do të sillnin për shtetin ligjor, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik.
Ajo nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e kritikave të ngritura sot nga qytetarët përkojnë me shqetësime që janë evidentuar prej kohësh edhe nga partnerët europianë, të cilët kanë kërkuar rishikimin e legjislacionit që krijon trajtime të privilegjuara, cenon konkurrencën dhe dobëson mekanizmat e kontrollit institucional.
Në përfundim të takimit, Tabaku ritheksoi se procesi i integrimit europian nuk mund të reduktohet vetëm në hapjen e kapitujve negociues, por duhet të shoqërohet me ndërtimin e institucioneve të forta, respektimin e shtetit të së drejtës dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek demokracia dhe barazia para ligjit.