AKTUALITET, 18 Janar 2025, 15:15

Protesta për policin që u hodh nga lartësia, habit Ministri i Brendshëm: Manipulim për qëllime politike dhe biznes mediatik!

Protesta për policin që u hodh nga lartësia, habit Ministri i

“Manipulim për qëllime politike dhe biznes mediatik!”. Kështu e ka cilësuar ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku dy ditë më parë efektivi i policisë, Azbi Spahiu, u hodh nga lartësia.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Hoxha lëshon akuza në drejtim të partive të reja, por dhe mediave për rastin që në fakt është shoqëruar nga një "omerta" edhe në rradhët e opozitës dhe mediave kryesore të vendit.  

Reagimi i Ministrit të Brendshëm vjen pasi në rrjetet sociale është njoftuar një protestë nga Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet. 

Opozita zyrtare e PD dhe aleatëve të saj ka heshtur për rastin, si shumica e mediave, për shkak se polici është i njëjti që kishte ndaluar djalin e biznesmenit të fuqishëm, Samir Mane ditën e dielë. 

Në deklaratën e tij Ministri i Brendshëm nuk jep ndonjë informacion për ngjarjen por thotë se partitë e reja kërkojnë të përfitojnë politikisht. Nga ana tjetër ai thotë se ka një manipulim për "biznes mediatik", një deklaratë kjo e çuditshme pasi shumica e mediave heshtën dhe biznesi mediatik në këto raste pikërisht ka të bëjë me blerjen e heshtjes! 

Deklarata e plotë e Ervin Hoxhës  

Është bërë tanimë një zakon shumë i ulët, që të deformohen dhe manipulohen ngjarje të caktuara dhe të goditet Policia e Shtetit, për qëllime tërësisht politike apo biznes mediatik.

Rasti i ngjarjes së Pogradecit, ku u fry një dallgë e madhe dizinformimi me një bandë inekzistente gjobëvënësish, apo rasti i vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij, ku u sajuan thika e autorë të tjerë të paqenë, ishin dy raste emblematike të rritjes së nivelit të paturpësisë politike dhe mediatike.

Tani ka dalë një tjetër rast, me të cilin po riluhet loja e “të vegjëlve”, që bëjnë thirrje për protestë (kështu i është vënë emri ca partizave, që të reja mund të kenë shumë gjëra, po nuk kanë as mendësinë dhe as metodat).

Protesta sa të duan, kur të duan, po nuk rezulton që të ketë ndonjë punonjës policie, që ka tentuar të vrasë veten nga ndonjë presion për të mos zbatuar ligjin ndaj dikujt. Rasti në fjalë është i qartë e i dokumentuar dhe e gjitha është një furtunë në gotë.

Por, meqë jo çdo e keqe vjen për keq, njerëzit mbase e kuptojnë edhe më mirë me këtë rast, që këto lëvizjet me emra të mëdhenj të këtyre “të vegjëlve” janë tamam si ajo loja “fluturon, fluturon” dhe kush ta hajë, ta hajë…

Këtyre organizatorëve, që kanë nxjerrë këto tabelat në rrjete sociale, u sugjeroj ta zëvendësojnë sloganin dhe ta bëjnë “Gënjeshtra, shpresa jonë për deputetë” dhe “Marshojmë, Gënjejmë”. Plus, duke saktësuar respektivisht subjektet e tyre politike “Gënjejmë Bashkë” dhe “Gënjeshtra Bëhet”.