AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 22:48

Protesta e 11 shkurtit/ Meta: Ora e llogaridhënies po vjen!

Protesta e 11 shkurtit/ Meta: Ora e llogaridhënies po vjen!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në protestën e 11 shkurtit, në mënyrë që të largohet nga pushteti kryeministri Rama, për të cilin tha se ka shkatërruar pluralizmin politik dhe demokracinë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Meta shkruan se PL-ja është më e vendosur se kurrë për çrrënjosjen e kapjes së shtetit nga një sekt pervers dhe se ora e llogaridhënies po vjen.

“Pjesëmarrja e çdo qytetari në protestën e 11 Shkurtit është një detyrë patriotike për të shporrur Kryeministrin më të korruptuar të kontinentit i cili guxoi të korruptonte zyrtarët e lartë të vendeve partnere për të shkatërruar pluralizmin politik dhe demokracinë.

Duke shporrur Edi Ramën ndahemi nga dekada e korrupsionit të shfrenuar dhe polarizimit ekstrem të vendit dhe ndalojmë shpopullimin e Shqipërisë.

Partia e Lirisë më e vendosur se kurrë për çrrënjosjen e kapjes së shtetit nga një sekt pervers.

Ora e Llogaridhënies po vjen!”, ka shkruar Meta.