AKTUALITET, 4 Qershor 2026, 22:01

Protesta/ Arlind Qori: Kërkohet në masë dorëheqja e qeverisë, burg për Ramën dhe Berishën!

Protesta/ Arlind Qori: Kërkohet në masë dorëheqja e

Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për protestën dhe kërkesat e saj. 

Qori tha se është hera e parë që në një protestë masive qytetare, artikulohen kërkesa politike, siç është ajo e dorëheqjes së qeverisë.  

"Jam në protestë përditë. Po të them se kjo protestë ka të përbashkëta me të armëve kimike dhe të studentëve, por ka bërë një hop cilësor përpara, është dukshëm më e madhe. E them si pjesëmarrës në vetë të parë. 

Ka diçka që e veçon këtë protestë dhe besoj se është më vështirë të bësh debat, janë kërkesat, qëndrimet. Është hera e parë që ka një protestë masive qytetare dhe kërkesat janë politike. Kryekërkesa këtu është dorëheqja e Edi Ramës. Kërkohet në masë. A ka kërkesë më politike?

Kërkesa dhe fryma janë politike, rrënjësore, prekin të gjithë dimensionet e jetës. Kërkohet dorëheqje e Ramës, kërkohet burg për Ramën dhe Berishën. Nuk është thirrur kurrë kjo. Protestuesit i kundërvihen oligarkisë ekonomike. Madje protestuesit thonë bojkotoni mediat, janë thirrje nga mijëra vetë. 

Nëse protestuesit thërrasin bojkotoni mediat, e thonë sepse për ditë të tëra televizionet kryesore kanë heshtur. Më shumë kanë informuar mediat e huaja, sesa televizionet kryesore në Shqipëri, që kanë bërë teori konsipracioni.

Po aq ftesa sa kam marrë në Shqipëri, kam marrë në Kosovë. Dy ftesa kam marrë nga dy televizione në Kosovë, dhe dy ftesa në Shqipëri, ndërkohë këtu po bëhet nami. Kërkesat janë rrënjësore.   

Si ka mundësi që politika editoriale pajtohet vetëm me teori konspirative? Top Channel ka nxjerrë kronikë për Zvërnecin dhe nuk ka transmetuar tërheqjen zvarrë. Pastaj ka lexuar qëndrimin e kompanisë. Interes publik është ky? Dezinformon. Klani nuk thotë asgjë tjetër. Prandaj njerëzit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, burgosjen e Ramës dhe Berishës dhe bojkotin e mediave", tha Qori.