AKTUALITET, 12 Shkurt 2024, 10:13

Projektligji për bastet/ Jorida Tabaku: Shembull i kapjes së shtetit, përqendrohet në pak duar

Projektligji për bastet/ Jorida Tabaku: Shembull i kapjes së shtetit,

Deputetja demokrate Jorida Tabaku është shprehur kundër projektligjit për bastet, teksa theksoi se është shembull i kapjes së shtetit, duke shtuar se përqendrohet në pak duar.

Tabaku deklaroi se qeveria shqiptare, me prezantimin e këtij projektligji pranoi dështimin e kontrollit të territorit dhe menaxhimin nga grupet kriminale të këtij sektori.

Postimi i Tabakut:

Duket se marrëzia me lojërat e fatit nuk ka fund. Në gjykimin tim personal, lojërat e fatit si në të zezë, si në të bardhë përsëri lojëra fati mbeten. Por, me prezantimin e këtij projektligji Qeveria pranoi dështimin e kontrollit të territorit dhe menaxhimin nga grupet kriminale të këtij sektori që fatkeqësisht ka dalë jashtë kontrolli. Ky ligj nuk ka për ta sjellë në kontroll!

Pse? Së pari, ligji prezanton po të njëjtën mënyrë të menaxhimit por nga ana tjetër e përqendron atë në pak duar. E ka të pamundur që të kontrollojë pastrimin e parave dhe uljen e burimeve informale të parave në këtë sektor. Që nga dhënia e licencave të kompanive deri tek kriteret e tjera, tek mënyra e përzgjedhjes, kanë treguar që në sektorë të tjerë kanë dështuar dhe këtë tendencë do ketë dhe këtu.

Së dyti, diskutimet e ditëve të fundit nuk janë fare parimore, lidhen thjesht me fitimin. Prezantimi i basteve tek sporti për mua është i dëmshëm. Për më tepër diskutimi i uljes së moshës nga 18 në 16 vjeç për të vendosur këto baste sportive tek loja për ti vendosur këto baste para syve të çdo fëmije.

Së treti, ky është sektor shumë i rrezikshëm, ky është një sektor që kohëve të fundit ka treguar paaftësinë e qeverisë për ta menaxhuar e kontrolluar atë. Për këtë arsye çdo iniciativë e tillë duhet të kishte një diskutim më të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Prezantimi i këtij ligji është thjesht një shembull tjetër i kapjes së shtetit, thjesht një ligj tjetër i porositur.