AKTUALITET, 16 Janar 2025, 23:00

Projekti i Sazanit, Pano Soko: Rama i përdor pasuritë e vendit si monedhë për të blerë mbështetje

Projekti i Sazanit, Pano Soko: Rama i përdor pasuritë e vendit si

Pano Soko, ekspert i ekonomisë dhe bashkëkryetar i “Nisma Thurje”, u shpreh në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se kryeministri Rama po i përdor pasuritë e vendit si monedhë për të blerë mbështetje politike. Soko u shpreh se për ishullin e Sazanit duhej të ishte hapur garë, në vend që t’i jepej dhëndrit të presidentit amerikan.

“Këtu nuk po zhvillohet vendi. 1.4 miliardë dollarë mund të hidhen dhe mund të hidheshin më shumë. Copëza të Shqipërisë po përdoren si monedhë për të përfituar mbështetje politike nga partnerë ndërkombëtarë. Kjo është ajo që kundërshtohet.

Pse po përdoret i vetmi ishull që kemi? E nxitëm pa garë gjithë procesin, pa pasur oferta. Mund të ketë oferta shumë më të mira. Si gjenerojmë ne flukse monetare? Çdokush që vjen në qeveri ka marrë votat për të zbatuar projektin e vet. Edhe ato që ti mendon duhet t’i bësh sipas ligjit. Duke qenë se zotëria në fjalë i ka marrë votat, ai ka të drejtë të zhvillojë. Por duhet ta bëjë sipas ligjit.

Pse nuk u bë garë ndërkombëtare për Sazanin? Ne e kemi me ligj se duhet ta bëjmë me garë. Por në këtë rast qëllimi nuk është të përfitojë shteti shqiptar, por që Edi Rama të sigurojë mbështetje politike. Ai po shet copëza të Shqipërisë për të përfituar”- tha Soko.