TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Programit Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, deklaroi se do ta mbështesin rrugëtimin e tyre për të ardhmen.
“Këtu jemi për të ardhmen që nuk ndalet, sepse vjen, dhe për të shkuarën që nuk kthehet sepse ka ikur, Pikërisht për t’iu gjendur pranë bizneseve me të ardhmen që po vjen me shpejtësi në mënyrë të pandalshme, që është anëtarësimi në BE. Ne jemi angazhuar në krijimin e këtij program kombëtar që do ta mbështesim edhe me ekspertizën, që do të angazhojë në funksion të programit ekspertë të mirë informuar dhe mirë përgatitur për të asistuar sipërmarrjen shqiptare. Jemi në kushtet ku na duhet nga njëra anë të mbështesim sipërmarrjet, që e kemi bërë dhe do të vijojmë ta bëjmë, ky është sistemi i krijimit të vendeve të punës nga sipërmarrjet, zhvillimi social nëpërmjet zhvillimit të ndërmarrjes.
Ne duam që në radhë të parë sipërmarrja e vogël dhe e mesme shqiptare të ketë sot shansin që nëse ka kapacitetin e kurajës së mjaftueshme, e idesë së qartë për të nesërmen dhe të vullnetit të domosdoshëm për ta çuar idenë përpara me kurajo të ketë mbështetjen tonë. Mbështetja jonë për këtë kategori është domethënëse, që do të materializohet në ditët e ardhme me hapjen e “Dyfisho ndërmarrjen tënde”. Në mbështetje të të gjithë atyre që do të duan të rriten më lartë, të rrisin volumin, të përgatiten për të mos u fshirë nga era e fortë e këtij transformimi i përfshirjes në tregun e BE“, tha Rama.
Gjatë takimit me përfaqësues të komunitetit të biznesit, Rama deklaroi se qeveria nuk do të vendosë kufizime financiare për projektet e besueshme, duke garantuar se çdo sipërmarrje me një plan serioz do të mbështetet.
Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se është dyfishuar fondi për startup-et, pas rritjes së numrit të aplikimeve, ndërsa synimi i programit është të informojë rreth 48 mijë biznese, të organizojë qindra trajnime, të rrisë certifikimin sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve shqiptare.
“Ne nuk do të ndalemi te një kuotë financimi. Nuk do të ndalemi. Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje që do të paraqesë një plan të besueshëm që nuk do të mbështetet financiarisht. Një tjetër aspekt në këtë rrugëtim është aspekti i rritjes dhe fuqizimit të sistemit të startup-eve. Kemi dyfishuar fondin e financimit për të rinjtë që kanë aplikuar në programe. Aplikimet këtë vit kaluan mbi 1200, ne e dyfishuam financimin. U kemi thënë të rinjve që do ta rrisim financimin në mënyrë proporcionale me numrin e aplikimeve.
Çfarë synojmë ne me këtë program në aspektin e masës që do të prekë? Duam të informojmë 48 mijë ndërmarrje në gjithë vendin. Duam të ngremë një platformë të mbështetjes së biznesit. Do të na ndihmojë mbështetja e UNDP-së. Duam të organizojmë një cikël prej qindra trajnimesh, të rrisim certifikimin sipas standardeve të BE-së dhe, në fund, konkurrueshmërinë.
Kemi nevojë për dije. Sipërmarrja ka nevojë për dije. Ky proces po ashtu, mbi të gjitha, të gjithë bashkë kemi nevojë për informim.
Anëtarësimi në BE është që Shqipëria bëhet sa BE-ja dhe BE-ja bëhet sa Shqipëria. Nuk je më sipërmarrës brenda kufijve të Shqipërisë, por brenda BE-së.
Ne duam t’u japim kompanive sa më shumë elemente në dispozicion për të fituar sfidën. Ndërkohë që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të përgatisë një website për këtë program dhe për t’i mbajtur të informuara sipërmarrjet.”, tha ndër të tjera Rama.