AKTUALITET, 6 Nëntor 2024, 09:39

Presidencialet në SHBA/ Nga Kina, në Itali, Hungari, Izrael, Serbi e Kosovë, vijnë reagimet e para për Donald Trump

Presidencialet në SHBA/ Nga Kina, në Itali, Hungari, Izrael, Serbi e

Pasi Donald Trump shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Amerikës, kanë ardhur edhe reagimet e para ndërkombëtare.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha se respekton zgjedhjet e popullit amerikan dhe se politika e Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara është e qëndrueshme.

“Zgjedhjet presidenciale janë çështje të brendshme të SHBA-së dhe ne respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan. Politika jonë ndaj Shteteve të Bashkuara është e qëndrueshme dhe ne do të vazhdojmë t’i shikojmë dhe menaxhojmë marrëdhëniet në përputhje me parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe dhe bashkëpunimit të favorshëm”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning, duke shpresuar për një “bashkëjetesë paqësore” me Uashingtonin.

Kryeminsitri hungarez e ka cilësuar nëj rikthim të madh në historinë politike të SHBA-së, teksa ka uruar Donald Trump.

“Kthimi më i madh në historinë politike të SHBA-së! Urime Presidentit Donald Trump për fitoren e tij të madhe. Një fitore shumë e nevojshme për botën!” shkruan në X, kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Për zëvendëskryeministrin italian, Matteo Salvini, në SHBA fitoi arsyeja e shëndoshë.

“Lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe uljes së taksave, rrënjëve të krishtera dhe kthimit në paqe, lirinë e mendimit dhe jo gjyqeve politike. Edhe në SHBA fiton arsyeja e shëndoshë, pasioni dhe e ardhmja! Punë të mbarë, President Donald Trump”, ka shkruar në Instagram lideri i Ligës dhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini, duke komentuar zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Tani që Donald Trump ka shpallur fitoren në këto zgjedhje presidenciale, disa liderë botërorë kanë nisur ta urojnë.

"Urime për rikthimin më të madh të historisë! Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës", thotë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Ai shton: "Kjo është një fitore e madhe!"

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  ka uruar republikanin Trump dhe kandidatin e tij për nënpresident, Vance për fitore si “president dhe nënpresident të Shteteve të Bashkuara”.

“Shtetet e Bashkuara mbesin partnere të palëkundura dhe të domosdoshme të Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re, dhe të thellojmë lidhjet tona unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka përgëzuar Trumpin, për fitoren në zgjedhjet presidenciale për Shtëpinë e Bardhë.

Agjencitë më të mëdha amerikane ende nuk e kanë shpallur Trumpin fitues dhe janë në pritje të numërimit të mëtejmë të votave.

“Së bashku, ne do të përballemi me sfida serioze. Serbia është e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara për stabilitet, rritje dhe paqe”, ka thënë Vuçiç përmes një postimi në X.