BALLKAN, 6 Mars 2026, 09:04

Politika dështoi në zgjedhjen e Presidentit, Osmani shpërndan Parlamentin, dërgon Kosovën në zgjedhje të parakohshme

Politika dështoi në zgjedhjen e Presidentit, Osmani shpërndan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se vendimi u mor pas dështimit të deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri. 

“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, deklaroi Vjosa Osmani.

Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani tha se kjo nuk ka qenë një situatë e rastësishme, por sipas saj një kalkulim i menduar politik.

“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet.

Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, ka theksuar Osmani.