AKTUALITET, 2 Dhjetor 2024, 15:30

Policia reagon për makinën e gjetur me të cilën dyshohet se u krye vrasja në Ndroq: Mjeti do t'i nënshtrohet ekspertizës

Policia reagon për makinën e gjetur me të cilën dyshohet se

Policia e Shtetit me anë të një njoftimi ka reaguar pas gjetjes së makinës, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja e Alfred Dedjas në Ndroq të Tiranës.

Efektivët shprehen se në makinë nuk janë gjetur sende të paligjshme, ndërsa mjeti do i nënshtrohet ekspertizës. Policia bën me dije se vijon kontrollet për të kapur autorin e dyshuar të vrasjes, Julian Gjoshi.

"Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, për lokalizimin dhe kapjen e autorit të vrasjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal në Ndroq, është gjetur i braktisur në fshatin Shkallnur, automjeti me të cilin dyshohet se ka lëvizur autori i dyshuar i vrasjes.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë nuk kanë konstatuar ndonjë send të kundërligjshëm.

Automjeti u transportua në ambientet e Policisë dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes dhe për zbardhjen e rrethanave të saj”, njofton policia.