AKTUALITET, 21 Maj 2024, 10:36

Platforma e kujtesës/ Rezoluta: 21 maji të shpallet “Ditë Përkujtimore e Qëndresës kundër Regjimit Komunist”

Platforma e kujtesës/ Rezoluta: 21 maji të shpallet “Ditë

Regjimi komunist në Shqipëri ushtroi dhunë brutale dhe të vazhdueshme ndaj jetës dhe lirive të qytetarëve. Rreth 35,000 burra e gra u burgosën dhe rreth 60 mijë persona u dëbuan dhe u internuan.

Mijëra të tjerë u pushkatuan, u vranë ose humbën jetën në burgje dhe trupat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjeve. Ne shprehim respektin tonë më të thellë për secilën viktimë të regjimit komunist shqiptar dhe shprehim keqardhjen që edhe sot, më shumë se 30 vjet më vonë, kjo tragjedi nuk është zbuluar plotësisht dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut nuk janë dënuar. Shqipëria ka miratuar dy rezoluta: një për të dënuar krimet e regjimit komunist (2006) dhe një tjetër për krimet kundër klerit (2016). Megjithatë, zbatimi i tyre ka qenë minimal.

Shqipëria është i vetmi vend në Evropën Qendrore dhe Lindore që ende nuk ka një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit dhe as një memorial kombëtar në kujtim të tyre.

Me rastin e 50-vjetorit të revoltës së Spaçit, më 21 maj 1973, një grup institucionesh të angazhuara në fushën e kujtesës kërkuan zyrtarisht shpalljen e 21 majit si një ditë kombëtare përkujtimore të rezistencës kundër regjimit totalitar. Ajo duhet të jetë një ditë nderimi për ata që u burgosën pa të drejtë dhe ditë reflektimi për qëndrimin që duhet të mbajmë si shoqëri ndaj atij regjimi totalitar. Kjo kërkesë ende nuk është përmbushur dhe mbetet aktuale. Gjithashtu, ne ndjekim me shqetësim përpjekjet e qeverisë për të ngritur një muze jo në kampin e Spaçit, i cili është një vend autentik kujtese, por diku tjetër, duke argumentuar se është më i aksesueshëm nëpërmjet autostradës. Pa respektuar kujtesën historike, pa nderuar viktimat e dhunës komuniste dhe pa bërë transparencë mbi mizoritë e regjimit komunist, nuk mund të ketë pajtim shoqëror dhe demokraci të fortë.

Platforma Evropiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes mbështet përpjekjet për të shpallur 21 majin si një ditë përkujtimore në Shqipëri në respekt të viktimave dhe të qëndresës kundër regjimit komunist, në një vend që ka provuar një nga diktaturat më të egra komuniste. Revolta e të burgosurve politikë të Spaçit nga 21-23 maj 1973 është një nga simbolet më të rëndësishme të qëndresës së popullit shqiptar kundër diktaturës komuniste. Policia dhe ushtria e shtypën atë me dhunë, 60 persona u ridënuan, dhe katër prej tyre u pushkatuan.

Platforma gjithashtu mirëpret përpjekjet e qeverisë shqiptare për të adresuar çështjen e ngritjes së muzeut në kamp burgun e Spaçit dhe fton të gjitha institucionet dhe aktorët e përfshirë në këtë debat të bashkëpunojnë për të ngritur një muze që i shërben më së miri kujtesës historike kolektive dhe rrit ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare dhe brezit të ri. Platforma mirëpret çdo përpjekje për të përkujtuar viktimat e regjimit komunist në Shqipëri, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, sepse ne besojmë se historia e çdo vendi është një pjesë e vlerave evropiane të drejtësisë, dhembshurisë dhe pajtimit.

Më datën 13 janar të vitit të kaluar një grup prej 10 vetash përmes një letre drejtuar Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit propozuan shpalljen e datës 21 maj si ditë përkujtimore me emërtimin “Dita e Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar” me rastin e 50- vjetorit të Revoltës së Spaçit (21 maj 1973). “Në përkujtim të 50-të vjetorit të revoltës së burgosurve politikë të Spaçit, 21 maj 1973, duke e konsideruar atë një ngjarje simbolikisht shumë të rëndësishme, e cila mishëron qëndresën e popullit shqiptar dhe njëkohësisht dëshpërimin e tij, përballë regjimit brutal komunist, ne, një grup institucionesh dhe organizatash të angazhuar në fushën e edukimit dhe ruajtjes së memories historike, propozojmë si më poshtë:

– Shpalljen e datës 21 maj ditë përkujtimore me emërtimin “Dita e Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar” – Shpalljen e ish-kampit (burgut) të Spaçit, Muze Kombëtar – Shpalljen e vitit 2023 “Vit Përkujtimor i Revoltës së Spaçit” me një kalendar aktivitetesh të programuar, koordinuar dhe të afishuar publikisht. Ne mendojmë se një ngjarje me kaq rëndësi dhe simbolizëm për kujtesën kolektive të popullit shqiptar meriton një vëmendje shtetërore të niveleve më të larta dhe të organizuar. Do të ishte në nderin e qeverisë shqiptare të përkujtonte një ngjarje, e cila dëshmon qëndresën e shqiptarëve të shtypur nga qeveria e tyre – në një tjetër kohë – vetëm e vetëm pse dëshironin një Shqipëri të lirë e të zhvilluar. Bashkangjitur kësaj kërkese gjendet një relacion përmbledhës mbi ngjarjet në periudhën 21-23 Maj 1973 në burgun e Spaçit, ose, siç njihet ndryshe, Revolta e Spaçit”, – thuhej në letër. Propozimi u bë nga Dom Gjergj Meta, Ipeshkv i Rrëshenit, Dr. Jonila Godole, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, Dr. Çelo Hoxha, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Dr. Gentiana Sula, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Blerina Gjoka, Fondacioni Kujto, Pjerin Mirdita, Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës”, Shkodër.

Luigj Mila, Shoqata “Drejtësi dhe Paqe”, Et’hem Fezollari, Shoqata Antikomuniste e ish-të Përndjekurve Politikë, Miran Bllaci, Cultural Heritage Without Borders, Fondacioni Konrad Adenauer.

GRUPI I PARË,
DËNUAR MË 24.5.1973
Skënder Daja, me vdekje
Dervish Bejko, me vdekje
Hajri Pashaj, me vdekje
Pal Zefi, me vdekje
Dashnor Kazazi
Luan Burimi
Syrja Lame
Sami Dangëllia
Lush Vata
Jorgo Papa
Hodo Sokoli
Luan Koka

GRUPI I DYTË,

DËNUAR MË 30.6.1973
Bedri Çoku
Jonuz Norja
Mersin Vlashi
Tomor Allajbej
Murat Marta
Pal Marku
Neim Pashaj
Haxhi Bena
Feti Kumanaku
Qemal Demiraj
Ndrec Çoku
Shuaip Ibrahimi
Hasan Ibro
Dervish Sulo
Elez Hoxha
Neim Uka
Gramoz Spahiu, iu dha pafajësi
Mërkur Babameto, iu dha
pafajësi
Zef Ashta, iu dha pafajësi
Muho Curri, iu dha pafajësi

GRUPI I TRETË,

DËNUAR MË 13.7.1973
Kostandin Papa
Bebi Konomi
Rexhep Lazri
Gëzim Çela
Sali Çuni
Shefqet Gjana
Ulusi Pashallari
Fatmir Llagami
Nuri Stepa
Bashkim Fishta
Agron Xhelili
Njazi Bylykbashi
Sherif Allamani
Marash Gjoka
Refik Beqo

GRUPI I KATËRT,

DËNUAR MË 21.7.1973
Petro (Pavllo) Papaj
Fadil Dushku
Demir Pojani
Gëzim Medolli
Sulo Veshi,
Çaush Çoku,
Muharrem Dyli
Stefan Kola,
Vladimir Prifti
Spiro Nasho
Muharrem Isufi
Irakli Sirmo, iu dha pafajësi

GRUPI I PESTË,

DËNUAR MË 25.7.1973
Gjeto Kadelit
Napolon Kaleci
Xhemal Bali
Ferit Avdullaj
Bardhyl Fejzollari
Sotiraq Simaku
Hysen Xhani.