AKTUALITET, 25 Janar 2023, 12:32

PL denoncon gjendjen e infrastrukturës në Tiranë: 350 milionë euro buxhet janë përdorur për të mbushur xhepat dhe jo gropat e rrugëve

PL denoncon gjendjen e infrastrukturës në Tiranë: 350

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar gjendjen e rënduar të rrugëve në Bashkinë e Tiranës, duke bërë përgjegjës Erion Veliaj.

Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se në pesë muajt e fundit, “Erion Veliaj e asfaltoi katër herë Rrugën “Tefta Tashko Koço”, në Njësinë Bashkiake Nr.2, por gjendja reale e kësaj rruge, pas katër asfalteve dhe ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve rezulton më e degraduar se kurrë”.

“Cilësia shumë e dobët e investimeve dhe standardet e punimeve që lenë për të dëshiruar janë dëshmi e qartë se fondet publike dhe taksat e banorëve të kësaj lagjeje që duhet të shkonin për përmirësimin e infrastrukturës në Rrugën “Tefta Tashko Koço” janë keqpërdorur barbarisht dhe kanë përfunduar në xhepin e Erion Veliaj dhe klientëve të tij.

Katër asfaltet e hedhura në këtë rrugë, janë mirëfillti katër vjedhje të taksave të banorëve të Njësisë 2, të cilët rrugën me standarde dhe kanale kullimi e shohin vetëm në fotot me filtra të propagandës së Erion Veliajt, por jo në realitetin e hidhur që prekin çdo ditë.

Rrugët e ndershme nuk kanë nevojë as për katër investime, as për katër inaugurime dhe as për katër kronika televizive, por vetëm për një investim të ndershëm, që nuk vidhet por që jeton për të paktën katër dekada.

Infrastruktura e bërë copash në rrugët dhe rrugicat e Tiranës, që kanë gllabëruar miliona lekë por kanë mbetur po njësoj, tregon dështimin e plotë të Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e kushteve të banorëve dhe administrimit të fondeve publike.

Të përdorësh 350 milion euro buxhet vjetor për të mbushur xhepat dhe jo gropat e rrugëve të lëna rrugëve do të thotë se për tetë vite Kryehajduti Erion Veliaj mendoi si të pasurohej për vete dhe jo se si të përmirësonte infrastrukturën dhe cilësinë e jetesës në komunitet të qytetarëve të Tiranës.

Ndaj 14 Maji është dita për të ndëshkuar masivisht me votë Kryehajdutin dhe Kryemashtruesin e Tiranës!”, tha ai.