AKTUALITET, 13 Prill 2024, 15:24

Përvetësonin toka shtetërore përmes falsifikimeve, zbardhet skema e mashtrimit të ish-zyrtarëve të Kadastrës së Durrësit

Përvetësonin toka shtetërore përmes falsifikimeve, zbardhet

Ardit Kërtusha, ish-drejtues i Forumit Rinor të Partisë Socialiste, Leonard Kadrimi, ish- zv.drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës dhe 14 persona të tjerë, dyshohen të përfshirë në një skemë masive të falsifikimit të pronave në zonën e Spitallës. News24 zbërthehen mekanizmin sesi të dyshuarit kanë vepruar për të përvetësuar sipërfaqe të mëdha toke shtetërore, përmes falsifikimit, e mashtrimit.

Hetimi për rastin nisi në 2023 mbi bazën e kallëzimit të Fiqiri Shabës, i cili pretendonte pronësinë mbi dy sipërfaqe toke, kur një ditë konstatoi se një pjesë e pronës ishte rrethuar nga një mur betoni. Kallëzuesi thotë nuk e dinte kush ishte zaptuesi, por hetuesit zbuluan se prona ishte shitur dy herë dhe i kishte kaluar një kompanie private. Në kuadër të hetimit, prokuroria ka në gjurmët e Lirim Xhametës, një ish punëtor ferme, në emër të cilit ishte regjistruar 75 mijë metra katrorë tokë. Xhameta iu tha hetuesve se një person i identifikuar me emrin Diti i kishte premtuar se do ti bënte dokumentet për të përfituar 3 mijë metra tokë.

 “Dy muaj më vonë, Diti më takoi dhe më dha një AMTP të paplotësuar. Më tha që duhet ta firmos”, tregon Xhameta. Ai thotë se në një takim te tretë, Diti I kishte thënë që do ti jepte 200 mijë lekë në këmbim të pronës. “Shkova te noteri unë, gruaja dhe djali. Firmosëm një akt përfaqësimi në emër të një personi që nuk e njihnim dhe morëm paratë”, tregon Xhameta. Sipas prokurorisë prona e regjistruar, e cila më pas është ndarë e tjetërsuar, edhe përfituar në mënyrë të paligjshme. Me të njëjtën skemë u regjistrua në emër të të ndjerit Dilaver Taulla sipërfaqja prej 76 mijë metrash katrorë dhe trashëgimtarët e tij e mësuan se ishin pronarë në 2010. Edhe në këtë rast, Ardit Kërtusha iu mori kartat e identitetit trashëgimtarëve të Dilaver Taulla, duke iu premtuar se do t’iu rregullonte pronë që iu takonte sipas ligjit. Por nga hetimet rezulton se pronat ne emër të Xhametës dhe Taulla ishin regjistruar me dokumente të falsifikuara dhe më pas ishin futur në regjistrat kadastralë, me ndihmën e zyrtarëve te ASHK Leonard Kadrimi Aida Kila dhe Mikel Zaho.

Prokurori Pali Decolli zbuloi se skema e tjetërsimit të pronave shtetërore në Spitallë të Durrësit është shumë më e gjerë. Ai vendosi sekuestron mbi sipërfaqen prej 448.000 m2, e cila nga hetimet rezulton se është tjetërsuar përmes falsifikimit nga zyrtarë shtetërore.