AKTUALITET, 18 Qershor 2026, 09:04

Përkrahu autorët për vrasjen e çiftit Mujeci në Balldren në Lezhës, arrestohet në Malin e Zi 40-vjeçari i shpallur në kërkim

Përkrahu autorët për vrasjen e çiftit Mujeci në

Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në prill të këtij viti në Balldren të Lezhës është arrestuar në Mal të Zi dhe është deportuar drejt Shqipërisë.

Sipas Policisë së Shtetit, i dyshuari akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi dyshohet se ka fshehur automjetin e përdorur nga autorët pas ekzekutimit të bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

“Falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, si dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore malazeze, Policia e Malit të Zi lokalizoi dhe kapi në Ulqin një shtetas të kërkuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.

Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë, u bë ndalimi i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. K. dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale”, shkruan Policia.