AKTUALITET, 30 Qershor 2026, 10:40

PD kërkoi interpelancë urgjente, Bardhi: Rama e ka menduar dorëheqjen, por nuk e jep sepse është peng! Ka ende borxhe për të shlyer

PD kërkoi interpelancë urgjente, Bardhi: Rama e ka menduar

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi thotë se kryeministri Rama e ka menduar dorëheqjen, por nuk e jep atë sepse është “peng i sistemit” që ai vetë ka ngritur.

Në fjalën e tij në Parlament, ku Bardhi kishte kërkuar interpelancë me kreun e qeverisë, por ky i fundit nuk ishte i pranishëm, ai tha se Rama nuk largohet nga detyra pasi “ka ende borxhe për të shlyer”.

“Unë e di pse Rama nuk erdhi dhe sot në seancë. Sado manipoulator, Rama e di që nuk flet në publik për krimet shtetërore, ai është peng i tyre. Unë mendoj se ai e ka menduar dorëheqjen atë që ju tha, por nuk mund ta japë sepse nuk është një njeri i lirë, është peng i sistemit që vetë ka ndërtuar. Ramën nuk e lejojnë për të larguar sepse ka ende borxhe për të shlyer, borxhe që i shlyen duke i shitur copa të Shqipërisë, borxhe që i shlyen duke hapur zona e mbrojtura për beton, borxhe që i shlyen  duke ndryshuar ligje për ti shërbyer klientëve të tij dhe trafikantëve të drogës. Është ky sistem që shqiptarët po sfidojnë prej javësh”,  tha Bardhi.

Sipas tij shqiptarët tashmë nuk po protestojnë vetëm për Zvërnecin, por kundër një modeli qeverisje.

“Është pikërisht ky sistem që shqiptarët po sfidojnë prej javësh në shesh. Nuk protestojnë më vetëm për flamingot. Nuk protestojnë më thjesht kundër një ligji. Shqiptarët po protestojnë kundër një modeli qeverisjeje ku ligji ndryshohet për klientët, prona publike vihet në shërbim të interesave private dhe shteti përdoret për të mbrojtur pushtetin, jo qytetarët.”, tha Bardhi.

Fjalimi i Plote i Gazment Bardhit: 

Zoti Kryetar,

A ju ka thënë ndonjëherë Edi Rama “fuck you”?

Ju mund të thoni ”Jo” dhe të mbroni të pambrojtshmen. Por ne e dimë që e ka bërë.

Ua tha protestuesve para gjithë botës, duke turpëruar Shqipërinë në median ndërkombëtare. E cila edhe ajo, si protestuesit dhe opozita, e sheh Edi Ramën në rolin e një kumbari mafioz.

Por, zoti Kryetar, kolegë të Partisë Socialiste, sot po jua thotë edhe juve.

Jo me fjalë. Me veprime.

Sepse çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për të përmbushur një detyrim kushtetues? Çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për të ardhur në Kuvend dhe për të dhënë llogari? Çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për t’iu përgjigjur qytetarëve përmes institucionit që i përfaqëson?

Ky nuk është refuzim ndaj opozitës.

Ky është refuzim ndaj Parlamentit.

Ky është refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

Dhe, zoti Kryetar, sot nuk dështoi vetëm Kryeministri. Sot dështuat edhe ju. Sepse detyra juaj nuk është të mbroni Kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit dhe të garantoni të drejtën kushtetuese të këtij Parlamenti për t’i kërkuar llogari qeverisë. Sot zgjodhët të mbroni Kryeministrin, jo Parlamentin.

Megjithatë, unë e di pse Edi Rama nuk erdhi as sot.

Sado makiavelist dhe manipulator, Edi Rama e di që nuk mund të flasë në publik për krimet e tij shtetërore. Ai është peng i tyre. Unë besoj se Edi Rama e ka menduar dorëheqjen. Por nuk mund ta japë, sepse nuk është më një njeri i lirë. Ai është peng i sistemit që vetë ka ndërtuar. Është peng i interesave që vetë ka ushqyer për 13 vjet.

Edi Ramën nuk e lejojnë të largohet, sepse ka ende borxhe për të shlyer. Borxhe që i shlyen duke shitur copa të Shqipërisë. Borxhe që i shlyen duke hapur zonat e mbrojtura për beton. Borxhe që i shlyen duke ndryshuar ligje për t’u shërbyer klientëve të tij financiarë dhe trafikantëve të drogës. Borxhe që i shlyen duke vënë interesin e tyre mbi interesin e shqiptarëve.

Është pikërisht ky sistem që shqiptarët po sfidojnë prej javësh në shesh. Nuk protestojnë më vetëm për flamingot. Nuk protestojnë më thjesht kundër një ligji. Shqiptarët po protestojnë kundër një modeli qeverisjeje ku ligji ndryshohet për klientët, prona publike vihet në shërbim të interesave private dhe shteti përdoret për të mbrojtur pushtetin, jo qytetarët.

Prandaj pesë kërkesat e protestuesve nuk janë të rastësishme. Janë pesë goditje ndaj të njëjtit sistem. Janë kërkesa që Partia Demokratike i ka ngritur prej kohësh. Dhe sot, një pjesë e tyre janë bërë edhe kushte që Bashkimi Europian i vendos Shqipërisë në rrugën e integrimit. Sepse secila prej tyre godet një hallkë të sistemit të ngritur nga Edi Rama.

Kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit, sepse sistemi ka një përgjegjës politik.

Kërkojnë shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, sepse ai është bërë instrument i privilegjimit të klientëve të pushtetit.

Kërkojnë shfuqizimin e Paketës së Maleve, sepse territori i Shqipërisë nuk mund të trajtohet si plaçkë për interesa private.

Kërkojnë anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, sepse historia dhe identiteti i këtij vendi nuk mund të zhbëhen për interesat private të Edi Ramës.

Kërkojnë anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, sepse Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës duke u larguar nga standardet europiane për mbrojtjen e natyrës.

Besoj se tani e keni shumë të qartë pse Edi Rama nuk guxoi të vinte sot në këtë sallë.

Si do ta mbronte ligjin për investimet strategjike, që ka betonizuar të paktën 6 milionë metra katrorë bregdet? Ligjin me të cilin u hapi rrugë trafikantëve ndërkombëtarë të drogës të pastrojnë paratë në ndërtim dhe në turizëm?

Si do ta mbronte Paketën e Maleve, që legalizon zaptimin e pronës shtetërore me 1 euro, që e kthen pronën publike në privilegj të padrejtë privat dhe që klientët e Edi Ramës, në fund, i shpërblen edhe me përjashtime të gjera nga taksat për 10 vjet?

Si do t’i mbronte ndryshimet në ligjin për trashëgiminë kulturore, të cilat e trajtojnë atë si pengesë për betonizimin?

Si do t’i mbronte ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, kur edhe vetë Parlamenti Europian i kërkon Shqipërisë ta shfuqizojë atë dhe të pezullojë lejet në zonat e mbrojtura derisa kjo të ndodhë?

Ne sot nuk do t’i vinim prangat Edi Ramës për krimet që ka bërë. Besoj se do të vijë një kohë që drejtësia të jetë në lartësinë e ligjit për ta bërë këtë.

Ne sot kishim një kërkesë që, në vendet me demokraci të vërtetë, konsiderohet elementare, ABC-ja e parlamentarizmit.

Ne kërkuam që Kryeministri të informojë Kuvendin, po citoj kërkesën: “mbi masat që ka marrë Këshilli i Ministrave për adresimin e shqetësimeve të evidentuara në Rezolutën e Parlamentit Europian për ligjin e investimeve strategjike dhe atë të zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore, që rezultojnë të jenë gjithashtu kërkesa të qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.”

Asgjë më shumë. Nuk i kërkuam të pranonte krimet. Nuk i kërkuam të pranonte kërkesat e protestuesve. I kërkuam të bënte atë që bën çdo kryeministër në një demokraci normale: të vijë në Parlament dhe të japë llogari për veprimet e qeverisë së tij. Ai refuzoi, duke shkelur Kushtetutën në mënyrë të përsëritur.

Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama nuk sillet më si Kryeministër. Sillet si pronari i Shqipërisë. Prandaj refuzon interpelancat. Prandaj sulmon protestuesit. Sepse në mendjen e tij, askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari. Përveç krimit.

Po shikoja këto ditë sesi ka ndryshuar udhëheqja e Europës në këto 13 vjet. Kemi parë të ndryshojnë qeveritë në Gjermani, Britani, Suedi, Finlandë, Belgjikë, Irlandë, Itali, Austri e shumë vende të tjera. Së fundmi, edhe në Hungari. Kryeministrat vijnë e ikin. Askush nuk është i pazëvendësueshëm.

Vetëm në Shqipëri kemi një Kryeministër që pas trembëdhjetë vitesh në pushtet u thotë qytetarëve në anglisht, para gjithë botës: “Fuck you”. Kemi një Kryeministër që e konsideron Parlamentin noter të akteve të tij dhe mburojë për korrupsionin e qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Dhe është pikërisht kjo arsyeja pse qytetarët janë në protestë dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Ata ndihen të trajtuar me të njëjtin përçmim me të cilin Kryeministri trajton Parlamentin.

Zoti Kryetar,

Sot Edi Rama nuk pranoi të dëgjojë Parlamentin.

Prej javësh refuzon të dëgjojë edhe qytetarët.

Por zërin e qytetarëve ju nuk mund ta shuani. Nuk e shuan dot as propaganda, as shumica e kartonëve, as refuzimi për të dhënë llogari.

Meqenëse Kryeministri nuk pranoi të vijë në Kuvend për t’i dëgjuar, le ta dëgjojë tani, kërkesën rreth së cilës është bashkuar me vullnet të lirë shumica e shqiptarëve.

“Rama, ti jepe dorëheqjen!”