AKTUALITET, 24 Qershor 2026, 22:25

PD: Sulmi ndaj Tahir Sinanit dhe UÇK-së është akt antishqiptar i orkestruar nga Edi Rama

PD: Sulmi ndaj Tahir Sinanit dhe UÇK-së është akt

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklaratat që Kryeministri Edi Rama, Taulant Balla dhe eksponentë të tjerë të PS-së kanë bërë ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Me anë të një deklarate, Partia Demokratike thekson se e konsideron luftën për çlirimin e Kosovës si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, pas atyre të Skënderbeut.

Deklaratë e Partisë Demokratike

Përbaltja me porosi të Ramës e heronjve të UÇK, akt i ulët dhe antishqiptar! Përpjekja për përbaltjen, me porosi të Edi Ramës, të Heroit të Kombit, Tahir Sinani, dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK, është një akt i ulët, antishqiptar dhe serbomadh nga Taulant Balla, eksponenti kryesor i krimit të organizuar, pas Edi Ramës, në Shqipëri.

Partia Demokratike e konsideron luftën për çlirimin e Kosovës si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, pas atyre të Skënderbeut.

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe, si antishqiptare, çdo përpjekje të Edi Ramës, argatit të Aleksandër Vuçiçit, dhe vasalëve të tij, si Taulant Balla e të tjerë, për përbaltjen e luftës për çlirimin e Kosovës, heronjve, të rënëve dhe luftëtarëve të saj.