AKTUALITET, 17 Shkurt 2024, 19:46

Pas dënimit të McGonigal, Berisha paralajmëron Edi Ramën: S’ka Xhorxh Soros që ta mbyll atë çështje

Pas dënimit të McGonigal, Berisha paralajmëron Edi Ramën:

Ish-kryeministri Sali Berisha, nga protesta nga ballkoni i shtëpisë së tij, ka reaguar lidhur me gjyqin e zhvilluar në SHBA ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili u dënua me 28 muaj burg për marrjen e 225 mijë dollarëve dhe fshehjen e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë.

Berisha u shpreh se sipas tij, McGonigal u korruptua nga kryeministri Edi Rama për të shkatërruar opozitën dhe për të shpallur atë “non grata” nga SHBA.

“E kishte korruptuar për ta përdorur për shkatërrimin e opozitës, për shpalljen “non-grata” të Sali Berishës pa asnjë fakt”,  u shpreh Berisha.

Ndër të tjera, ish-kryeministri i vendit, paralajmëroi Ramën, duke i thënë: “Jo Xhorxh Sorosi, por forcë në botë që të mbyll dosjen me McGonigal nuk ka dhe nuk do të ketë.”

Berisha: Dje u zhvillua një gjyq në Uashington. Në këtë gjyq, kishte vetëm një dosje dhe kjo ishte dosja Edi Rama-McGonigal.

Kjo ishte dosja e fëlliqur, në të cilën kryeministri shqiptar, sipas burimeve zyrtare amerikane, kishte korruptuar shefin e kundërzbulimit të vendit të madh në botë, SHBA.

E kishte korruptuar për ta përdorur për shkatërrimin e opozitës, për shpalljen non-grata të Sali Berishës pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë të dhënë. Miqtë e mi, McGonigal, për të cilin larot e Edi Ramës, duhet të thonë se krimin e ka kryer për vendin e tij, krimin e ka kryer në Shqipëri dhe kundër Shqipërisë. Me Edi Ramën, ku u morën paratë, 225 mijë euro, që iu dhanë atij për të shkatërruar opozitën shqiptare. A ka krim më të shëmtuar se sa të përdorësh fuqinë e një vendi të madh kundër opozitës së një vendi të vogël?

Ky është krim i përmasave makbethiane. McGonigal nuk u ndal vetëm me kaq, u them larove të Edi Ramës, por hoqi licenca dhe mori licenca duke detyruar taksapaguesit e varfër shqiptarë, të paguajnë dhjetëra e dhjetëra milionë euro gjoba në arbitrazhet ndërkombëtare për ndërhyrjen e tij.

A ka akte më të shëmtuara korruptive se këto? Këto nuk mbyllen kurrë. I them unë sot Edi Ramës, jo Xhorxh Sorosi, por forcë në botë që të mbyll dosjen me McGonigal nuk ka dhe nuk do të ketë.