AKTUALITET, 1 Korrik 2026, 10:48

Para SPAK/ Aktivisti: Rezistenca jonë do të zgjasë deri në dorëheqjen e Ramës! Sulmet e kryeministrit? Po përdor metodat e Sigurimit të Shtetit

Para SPAK/ Aktivisti: Rezistenca jonë do të zgjasë deri në

Aktivisti Andi Tepelena, nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ku dorëzuan librin “Albanian Files” si një provë për të hetuar kryeministrin Edi Rama, deklaroi se rezistenca e tyre do të vijojë deri në dorëheqjen e tij.

Në një komunikim për gazetaren Klodiana Lala, aktivisti deklaroi se çdo ditë edhe më shumë po provojnë se qeveria e Edi Ramës është e lidhur me bandat.

“Ne çdo ditë provojmë akte të forta politike që deligjitimojnë qeverinë e Ramës. Po tregojmë se qeveria është e kapur nga oligarkia, nga bandat dhe është në shkelje të ligjeve e kushtetutës. Nuk ka afat kjo, rezistencë që do të zgjasë në kohë deri në dorëheqjen e panegociueshme të Ramës. Do të vazhdojë kjo dorëheqje paqësore qytetarë deri në dorëheqjen e Ramës.”, tha ai.

I pyetur për sulmet e kryeministrit ndaj tij, aktivisti theksoi se ai po përdor metodat e Sigurimit të Shtetit duke anatemuar qytetarët. Ai theksoi se së pari me këtë sjellje, kryeministri tregon se po fyen qytetarët që protestojnë.

“Unë jam si shumë mijëra qytetarë që dalin në shesh. Janë metoda të sigurimit të shtetit, që anatemojnë njerëz të caktuar për të legjitimuar protestat. Unë jam shumë i qetë, çdo metodë e tij për të denigruar individë të caktuar mobilizon më shumë qytetarë. Ai së pari fyen qytetarët që marrin pjesë.”, shtoi ai.

Një tjetër protestues nga SPAK bëri thirrje që drejtësia të shkojë deri në fund. Ai tha për gazetaren Klodiana Lala se Rama bashkë me sektin e tij të PS-së, në bashkëpunim me arkitektë të huaj, po shqyejnë vendin dhe e betonizojnë.

“I bëj thirrje PS, mbi të gjitha Kryeministrit, ballës, cilido që ka marrë përsipër të hetojë protestuesit, të shoh listën e zyrtare apo kryetarëve të bashkive që ndodhen në hetim në SPKA. Kryeministri dhe sekti i tyre privat, që kanë shkuar deri aty sa të ftojnë arkitektë të huaj që të shqyejnë dhe betonizojnë vendin tonë. Nuk ka rëndësi se kush jemi, rëndësi ka kauza. Ne do t’i shkojmë deri në fund. Pritshmëritë tona nga SPAK janë si ata e filluan, ndaj ne do të besojmë. Duam drejtësi.”, tha ai.