TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në një konferencë për shtyp treguesit kryesorë të ekonomisë shqiptare për tremujorin e parë të vitit 2026.
Sipas raportit, ekonomia ka vijuar rritjen, ndërsa janë përmirësuar tregues si borxhi publik, investimet e huaja, punësimi dhe konsumi.
"Borxhi në tremujorin e parë të vitit ra në nivelin 48.8% nga 54.1% një vit më parë. Fluksi i investimeve të huaja direkte ishte 400 milionë euro, me rritje 11.9%, ndërsa stoku i tyre ka arritur në 17.4 miliardë euro."-u shpreh ajo.
Ibrahimaj bëri të ditur se Austria kryeson listën e investitorëve të huaj, e ndjekur nga Italia dhe Holanda. Pjesa më e madhe e investimeve është përqendruar në sektorin e pasurive të paluajtshme, aktivitetet financiare dhe energjinë.
Raporti tregon gjithashtu se konsumi është rritur me rreth 4%, ndërsa paga mesatare ka arritur në 90 mijë lekë. Gjatë pesë muajve të parë të vitit janë regjistruar 9 591 biznese të reja, ndërsa qarkullimi i tyre është rritur me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
"Papunësia zbriti në 8.4%, produktiviteti i punës u rrit me 3.2%, ndërsa eksportet e udhëtimeve arritën në 1 miliard euro, ose 15% më shumë se një vit më parë."-tha ai.
Sipas raportit, sektori i shërbimeve vijon të jetë motori kryesor i ekonomisë, ndërsa rritje kanë shënuar edhe tregtia, ndërtimi dhe eksportet e energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, ngadalësim është regjistruar në sektorin e transportit dhe në eksportet e industrisë së përpunimit të lëkurës, të ndikuara nga kursi i këmbimit.