AKTUALITET, 11 Prill 2024, 17:50

Paloka: Qeveria, vetëm skandale. Jemi të gjithë të vjedhur. Bashën e shoh nëpër meme

Paloka: Qeveria, vetëm skandale. Jemi të gjithë të vjedhur.

Kryetari i Këshillit Kombëtar në PD, Edi Paloka ka komentuar situatën aktuale politike në vend. Paloka thekson se Lulzim Bashën nuk e ndjek më, por se e sheh vetëm nëpër meme. Sipas tij, të drejtat e opozitës në vend po shkelen. Më tej, Paloka nënvizoi se procesi ndaj Sali Berishës është kryekëput politik.

“Qytetarët duhet të ngrihen në protesta për të drejtat e tyre dhe për një vend më të mirë për fëmijët e tyre. Në Kuvend nuk ka normalitet, sepse të drejtat e opozitës po shkelen përditë. Lulzim Bashën e shoh vetëm nëpër meme. E them realisht, nuk e them për shaka. Njëherë në meme del mes dy golave që e shtypin. Kryetarin e PD ne e kemi, ai është Sali Berisha, që po goditet nga maxhoranca sepse është kundërshtari real i qeverisjes. Në këto kushte, ne e duam Berishën kryetar. Procesi ndaj Berishës është politik. Në të ardhmen nuk e di çfarë do të ndodhë, mund të jem unë kryetar, mund të jetë Bardhi, mund të mos jemi në politikë, nuk di të ta them këtë”, tha Paloka.

Në lidhje me protestën përpara Bashkisë së Tiranës, Paloka vlerësoi se më shumë persona duhet të ishin të pranishëm, pasi të gjithë jemi të vjedhur nga zyrtarët e korruptuar. Paloka nënvizoi se qeveria shkon nga skandali në skandal dhe Rama e Veliaj nuk po thirren nga SPAK as për t’u marrë në pyetje.

“Është një drejtësi me regji e Edi Ramës. Vjedhja kaq hapur në mes të ditës është arroganca e njerëzve që nuk i tremben drejtësisë, sepse thonë na mbrojnë ata lart. Nuk e kanë menduar se mund t’i duhen një ditë Ramës. Është drejtësi me regji, që është në interes të atij që e luan këtë lojë. Për 700 mijë euro të Metës, që më vonë gjykata vendosi që as filmimet nuk ishin të vërteta, u bë gjithë ai 21 Janar. Në protestën para Bashkisë duhet të ishte gjysma e Tiranës, sepse të gjithë janë të vjedhur. Veliaj është një zar i Edi Ramës, lidhjet e tyre me Soros bëjnë që të kenë “çiftizim”, sepse nuk besoj se e duan shumë njëri-tjetrin. Unë kam thënë se SPAK është si Sigurimi i Shtetit. Rama po përdor SPAK siç përdorte Enver Hoxha Sigurimin. Kjo qeveri shkon nga skandali në skandal. SPAK-un do ta besoja, kur minimalisht të thirreshin për këto skandale Rama e Veliaj, por nuk i ka thirrur njëherë as si persona që kanë dijeni, as nuk guxon t’ju përmend emrin. Edhe Olsi Ramës është i zhytur, është deklaruar lidhja e tij me trafikantët. Olsi Rama dhe Edi Rama duhet të shkojnë të dy në burg. Ne kërkojmë qeveri teknike. Po përgatitemi për përballje”, deklaroi Paloka.