TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut vijojnë të jenë kërcënimi më i madh për jetën e shqiptarëve. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2025, 52.9% e të gjitha vdekjeve në vend janë shkaktuar nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, duke i mbajtur ato në vendin e parë mes shkaqeve të vdekshmërisë. Në total, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 21.394 vdekje, 3.2% më pak krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 22.102 raste. Edhe norma bruto e vdekshmërisë shënoi rënie, duke zbritur në 910.5 vdekje për 100 mijë banorë, nga 929.8 një vit më parë.
Sipas raportit, 96.7% e vdekjeve kanë ardhur si pasojë e shkaqeve natyrale. Ndërkohë, vdekjet nga aksidentet përbënin 2.2% të totalit, një peshë më e lartë se një vit më parë. Vrasjet përbënin 0.2% të rasteve, ndërsa vetëvrasjet 0.9%, të dyja në të njëjtin nivel si në vitin 2024. Brenda grupit të sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut, sëmundjet kronike të zemrës përbënin 42.2% të rasteve, sëmundjet ishemike të zemrës 22.4%, ndërsa sëmundjet e enëve të trurit 18.8%.
Shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekjeve ishte grupi "Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë", me 20.9% të totalit. Brenda këtij grupi, gati tre në katër raste lidhen me pleqërinë.
Tumoret renditen të tretat mes shkaqeve kryesore të vdekjeve. Më të shpeshtat ishin tumoret malinje të aparatit të tretjes, të ndjekura nga ato të aparatit të frymëmarrjes dhe organeve urogjenitale. Raporti tregon gjithashtu se sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekjeve si te femrat ashtu edhe te meshkujt. Nga ana tjetër, tumoret janë më të shpeshta te meshkujt, ndërsa vdekjet nga pleqëria regjistrohen më shumë te femrat.
Sa i përket vdekshmërisë foshnjore, gjatë vitit 2025 u regjistruan 106 vdekje foshnjore, kundrejt 110 një vit më parë. Norma e vdekshmërisë foshnjore mbeti e pandryshuar, në 4.7 vdekje për 1.000 lindje.