AKTUALITET, 24 Prill 2026, 22:09

“Nuk ka asnjë fabrikim”, Bardhi publikon një tjetër SMS: Ministri Ferit Hoxha fshiu mesazhin përçmues ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

“Nuk ka asnjë fabrikim”, Bardhi publikon një tjetër

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi ka reaguar sërish  pas mesazheve të publikuara nga deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ku ministri i Jashtëm Ferit Hoxha shprehet në mënyrë ofenduese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi tha se ministri Hoxha ka fshirë mesazhin përçmues për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pasi skandali u bë publik. 

Bardhi tha se të quash shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë” në një komunikim me ambasadorët nuk është lapsus, por është një mentalitet politik.  Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se kryeministri Rama ka të gjitha mjetet në dispozicion për të verifikuar mesazhin dhe fshirjen e tij. Në fund, Bardhi tha se kryeministri Rama duhet ta shkarkojë ministrin Hoxha nga detyra, pas këtij veprimi.

Postimi i Gazmend Bardhit:

Çfarë idioti!

Ministri i Jashtëm fshin mesazhin përçmues për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pasi skandali u bë publik. Të quash shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë” në një komunikim me ambasadorët nuk është lapsus. Është mentalitet politik. Nuk ka asnjë fabrikim. Ka vetëm një ministër të Jashtëm arrogant dhe të padenjë për detyrën.

Sjellja e tij idiote është ekzakt modeli i kësaj qeverie: Fillimisht përçmon. Pastaj viktimizohet. Në fund mohon. Hipokrizia e Ministrit të Jashtëm që në publik bën sikur kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve, por në biseda private i përçmon shqiptarët, tregon simptomën e kësaj qeverie: ata nuk duan t’ia dinë as për shqiptarët jashtë, as për shqiptarët brenda.

Një ministër që flet me këtë gjuhë poshtëruese, përbuzëse dhe denigruese mund të përfaqësojë arrogancën e një pushteti që ka humbur çdo lidhje me realitetin, por nuk përfaqëson as Shqipërinë, as kombin. Dënoj me forcë edhe kërcënimin e kamufluar publik për ambasadorët, në grupin me të cilët dërgoi mesazhin denigrues për shqiptarët.

Ata që denoncojnë përçmimin meritojnë mbrojtje. Ai që duhet të mbajë përgjegjësi dhe që ka shkelur betimin kushtetues është vetëm Ministri i Jashtëm. Mohimi, fshirja e mesazheve, sulmi ndaj denoncuesve (për fat të mirë nuk është vetëm një person që ka reaguar ndaj qëndrimit skandaloz të Ministrit) nuk është mënyra që e zgjidh situatën.

Kryeministri ka të gjitha mjetet në dispozicion për të verifikuar mesazhin dhe fshirjen e tij. Të paktën një herë në jetën e tij politike, Edi Rama duhet të sillet me nder dhe ta shkarkojë Ministrin e Jashtëm. Edhe për faktin se qenka tepër idiot!!!