AKTUALITET, 16 Qershor 2026, 10:51

Nis gjyqi në themel ndaj Veliajt, kryebashkiaku: Nuk dua të marr pjesë, s’më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale

Nis gjyqi në themel ndaj Veliajt, kryebashkiaku: Nuk dua të marr

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të martë.

Përmes një deklarate të dërguar në gjykatë, Veliaj ka bërë me dije se është në dijeni të zhvillimit të seancës, por ka zgjedhur të mos marrë pjesë në të.

“Kam dijeni për seancën. Nuk dëshiroj të marr pjesë, pasi nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale”, thuhet në deklaratën e tij.

"Nuk do të jem i pranishëm pasi SPAK nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës për të dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat dixhitale dhe të mundesojë të marr pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit.

Kërkoj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndreca", ka deklaruar Veliaj.

Veliaj argumenton gjithashtu se gjykata nuk ka zbatuar dispozitat ligjore që, sipas tij, i garantojnë të drejtën për të marrë pjesë në seancë si një person i lirë në sallën e gjyqit.

Seanca e fundit e mbajtur më 10 qershor, u shty për shkak të mungesës së disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Veliaj gjithashtu mungoi dhe shkak është mbyllja të kafazin e xhamit. Kryebashkiaku e cilëson mbajtjen në kafaz si të paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese.

Në seancën e fundit, treshja gjykuese i tha prokurorit të çështjes Ols Dado t’i çojë në qelinë e paraburgimit e mijëra faqe të tjera dokumente Veliajt, i cili gjatë gjithë kësaj kohe ka pretenduar se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet hetimore.

Një tjetër kërkesë e Erion Veliajt që vijon të refuzohet nga gjykata është transmetimi live i seancës. Për mediat avokati Plarent Ndreca tha se i është drejtuar KLGJ me një kërkesë për të shpallur të pavlefshëm nenin 14 të një udhëzimi të vetë qeverisë së gjyqësorit, që sipas tij po përdoret nga gjykatat për të mos lejuar transparencë.