AKTUALITET, 4 Qershor 2026, 14:57

Ngrihet “Urdhri i Agronomit”/ Si do të funksionojë struktura? Përfshihet te profesionet e rregulluara

Ngrihet “Urdhri i Agronomit”/ Si do të funksionojë

Mungesa e rregullimit institucional të profesionit të agronomit ka krijuar një boshllëk në cilësinë e shërbimeve bujqësore, në besueshmërinë e ekspertizës profesionale, dhe në mbrojtjen e interesit publik në fushat jetike të sigurisë ushqimore, menaxhimit të tokës dhe mbrojtjes së mjedisit. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka hedhur për konsultim projektligjin "Për Urdhrin e Agronomit", i cili paraqet zgjidhjen ligjore dhe institucionale për këtë situatë, duke propozuar krijimin e Urdhrit të Agronomit si një ent publik vetërregullues profesional.

Objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet këtij projektligji janë rregullimi i ushtrimit të profesionit të agronomit dhe i profesioneve të lidhura, përmes një kuadri ligjor të unifikuar, anëtarësimit në Urdhrin e Agronomit dhe regjistrimin në regjistra të posaçëm, në funksion të mbrojtjes së interesit publik; garantimi i cilësisë, përgjegjësisë dhe etikës profesionale; mbrojtja e interesit publik në fushat e bujqësisë, mjedisit dhe ushqimit; përafrimi i kuadrit ligjor shqiptar me praktikat dhe standardet evropiane për profesionet e rregulluara.

Paralelisht me këtë draft, Ministria e Bujqësisë ka hartuar dhe hedhur për konsultim publik edhe një projektligj tjetër që synon ndryshimin e kuadrit ligjor në fuqi për profesionet e rregulluara, me qëllim përfshirjen e profesionit të agronomit dhe profesioneve të lidhura me të duke u bërë kështu subjekt i legjislacionit përkatës në fuqi.

Kjo ndërhyrje legjislative vjen si rezultat i domosdoshmërisë për adresimin e mungesës së legjislacionit të posaçëm mbi ushtrimin e këtyre profesioneve në Republikën e Shqipërisë. Në këtë kuadër, projektligji parashikon krijimin e një strukture publike të specializuar, siç është Urdhri i Agronomit, përgjegjës për organizimin, mbikëqyrjen dhe vendosjen e standardeve për ushtrimin e profesionit të agronomit dhe profesioneve të lidhura me të.Kjo strukturë do të funksionojë si mekanizëm vetërregullues, nëpërmjet vendosjes së detyrimit për anëtarësim dhe regjistrim profesional, si dhe përmes zbatimit të rregullave etike dhe disiplinore.